Laburistët mbështesin një referendum tjetër për Brexit-in
https://parstoday.ir/sq/news/world-i86054-laburistët_mbështesin_një_referendum_tjetër_për_brexit_in
Laburistët anglezë kanë njoftuar se do të propozojnë mbajtjen e një referendumi të dytë për marrëveshjen Brexit, pasi parlamenti britanik nuk ka konsensusin e duhur.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 26, 2019 16:28 Europe/Tirane
  • Laburistët mbështesin një referendum tjetër për Brexit-in

Laburistët anglezë kanë njoftuar se do të propozojnë mbajtjen e një referendumi të dytë për marrëveshjen Brexit, pasi parlamenti britanik nuk ka konsensusin e duhur.

Në krah të tij doli të hënën edhe ministrja në hije e Punëve të Jashtme, e cila tha se do të votonte pro referendumit vetëm për të shmangur pasojat negative që do të shkaktonte dalja me mosmarrëveshje nga BE. Partia Laburiste në Angli do të propozojë një referendum të dytë rreth çështjes Brexit, kërkesë e cila do i paraqitet parlamentit zyrtarisht në orët në vijim. Kryetari Xheremi Korbin tha se objektivi i tij është që të evitohen pasojat që do t'i sillnin vendit dalja pa një marrëveshje me Bashkimin Europian në datën 29 mars, që është edhe varianti zyrtar i qeverisë. "Kryeministrja Mej po shpenzon kohën me pakujdesinë më të madhe, me përpjekjen për të na vënë përpara zgjedhjes mes një akordi të cunguar ose një akordi të padakordësuar, që do të ishte shkatërrimtar për vendin tonë. Secila nga këto është refuzuar më parë në shumicë nga deputetët, prandaj kërkojmë një referendum që të konfirmojë mbështetjen aktuale për marrëveshjen për Brexit,"-tha ai. Duke folur përpara grupit parlamentar të laburistëve, opozitari Korbin deklaroi të hënën se partia e tij mbetet e gatshme të kërkojë edhe zgjedhje të reja kombëtare vetëm për të shmangur krizën post-Brexit. Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha të hënën se shtyrja e datës së daljes së Britanisë nga BE do të ishte "zgjidhja më racionale" duke ditur se në parlamentin britanik mungon konsensusi mes palëve për marrëveshjen. Deputetët britanikë kërkojnë garanci për mosvendosjen e një kufiri fizik midis Irlandës dhe provincës angleze të Irlandës së Veriut, çështje e cila po negociohet me Brukselin.