Misioni i dështuar i Netanjahut në Moskë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i86115-misioni_i_dështuar_i_netanjahut_në_moskë
Gjatë takimit të tij të mërkurën më 27 shkurt, me presidentin rus në Moskë, kryeministri izraelit kishte dëshirë t'a lidhte presidentin rus me qasjen anti-iraniane të tij në dosjen siriane, por më kot.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Shkurt 28, 2019 20:26 Europe/Tirane
  • Misioni i dështuar i Netanjahut në Moskë

Gjatë takimit të tij të mërkurën më 27 shkurt, me presidentin rus në Moskë, kryeministri izraelit kishte dëshirë t'a lidhte presidentin rus me qasjen anti-iraniane të tij në dosjen siriane, por më kot.

Padroni i Kremlinit refuzoi të ndryshojë qëndrimin e tij mbi rolin e efektshëm të Iranit në Siri, raportoi Associated Press. Pavarësisht këmbënguljes së Putinit për nevojën për të ruajtur sigurinë e Izraelit, Putini, ashtu si në të kaluarën, mbështeti qasjen e Teheranit ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Netanjahu ka hyrë në bisedime me presidentin Putin duke riafirmuar vendosmërinë e tij për të bllokuar përpjekjet e Iranit për tu vendosur në Siri. "Ne jemi të vendosur të pengojmë përpjekjet e Iranit, i cili bën thirrje për shkatërrimin tonë, për të vendosur një prani ushtarake në Siri", tha Netanjahu. Por, a ndikuan bisedimet e tij me Putin për të shtyrë përpara qoftë një hap të vetëm planet e tij?  Në të vërtetë jo, thekson Associated Press. Në gjysmën e parë të vitit 2018, Netanjahu, u përpoq të zgjerojë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin ekonomik dhe të sigurisë me Rusinë. Por gjithçka ndryshoi më 17 shtator 2018, kur katër aeroplanë izraelitë F-16 kryen sulme pranë qytetit të Latakias. Pilotët izraelitë u fshehën pas një avioni rus Il-20 i ndodhur në zonë, i cili u godit nga sistemet siriane të mbrojtjes ajrore S-200. Rusia e zemëruar dërgoi raketa mbrojtëse raketore S-300 në Siri pak pasi zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov njoftoi se forca ajrore izraelite ishte përgjegjësi i vërtetë për rrëzimin e aeroplanit rus Il-20 dhe vdekjen e 15 oficerëve rusë. Zyrtarët izraelitë tani po përpiqen të kompensojnë gabimin e tyre duke njoftuar se nuk kanë asnjë kundërshtim ndaj vendosjes së forcave ruse në Siri dhe se shqetësimi i tyre i vetëm mbetet prania ushtarake iraniane në Siri. E megjithatë, realiteti është ndryshe. Që nga shpallja e tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, Izraeli e di që nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të merret vesh me Rusinë. Kështu që Netanjahu nuk ka vendosur nga dëshira të shkojë në Moskë për bisedime me Putin. Ai u përpoq ta bindte Putinin duke argumentuar rreth rrezikut të vendosjes ushtarake të Iranit në kufijtë midis Sirisë dhe Izraelit. Këtu disa analistë kanë parë një fillim të tërheqjes së Izraelit, sepse deri më tani, Netanjahu pa pushim ka kërcënuar të godasë "objektivat iranianë" në të gjithë tokën siriane. Dueli duket se është fituar nga pala ruse, e cila aktivizoi sistemet S-300 në Siri duke e shtangur Izraelin. Në mungesë të Shteteve të Bashkuara, Izraeli nuk mund të bëjë asgjë kundër Rusisë. Netanjahu më kot u përpoq ta bindë Putinin që të rishqyrtojë mbështetjen e tij për Iranin dhe të bëjë një sy qorr ndaj sulmeve të Izraelit në tokën siriane. Pas tre orë debat të mërkurën më 27 shkurt, Rusia përfundoi duke i imponuar Izraelit një komision të përbashkët në të cilin të dyja palët duhet të punojnë "për tërheqjen e të gjitha forcave të huaja nga Siria". Por dihet se për Moskën, forcat e huaja janë ato që janë të pranishme në Siri pa një mandat nga Damasku.