Kim ka humbur interesin për bisedime me Trump
https://parstoday.ir/sq/news/world-i86166-kim_ka_humbur_interesin_për_bisedime_me_trump
Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un nuk është më i interesuar të diskutojë planet e denuklearizimit me Presidentin e SHBA Donald Trump pasi bisedimet e tyre u ndalën papritmas të enjten, ka paralajmëruar një zyrtar i lartë i Phenianit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 02, 2019 17:26 Europe/Tirane
  • Kim ka humbur interesin për bisedime me Trump

Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un nuk është më i interesuar të diskutojë planet e denuklearizimit me Presidentin e SHBA Donald Trump pasi bisedimet e tyre u ndalën papritmas të enjten, ka paralajmëruar një zyrtar i lartë i Phenianit.

"Unë kam një ndjenjë që kryetari Kim mund të ketë humbur vullnetin për të vazhduar bisedimet e Koresë së Veriut me Shtetet e Bashkuara," tha të premten zëvendësministri i Jashtëm koreanoverior Choe Son-hui për agjencinë e lajmeve Yonhap të Koresë së Jugut. Presidenti amerikan tha se Pheniani ishte gati të bënte lëshime, por jo në fushat që Uashingtoni kishte shpresuar. Ai gjithashtu pohoi se Kim këmbënguli në heqjen e të gjitha sanksioneve amerikane si një kusht për denuklearizimin. Koreja e Veriut ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan, Donald Trump, sipas të cilit vendi komunist ka kërkuar heqjen e plotë të sanksioneve gjatë samitit të dështuar në Hanoi. Ministri i Jashtëm e Veriut, Ri Yong-ho ka folur për mediet pas bisedimeve mes presidentit amerikan dhe udhëheqësit të Koresë, Kim Jong-un, bisedime që përfunduan pa marrëveshje. Sipas këtij të fundit, koreano-veriorët kanë kërkuar lehtësim të pjesshëm të sanksioneve në këmbim të çmontimit të kompleksit kryesor bërthamor. “Ky propozim ishte edhe masa më e rëndësishme për denuklearizimin që ne mund të merrnim në këtë fazë, duke marrë parasysh edhe nivelin aktual të besimit mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ai. “Në këmbim – shtoi Ri, – Veriu kërkoi heqjen e pjesshme të sanksioneve që rëndojnë kryesisht mbi ekonominë e qytetarëve dhe jetesën e popullit tonë”. Më tej, ai u tha reporterëve se Pheniani kishte ofruar gjithashtu ndalimin e përhershëm të testeve bërthamore dhe ato të raketave me rreze të gjatë veprimi, përpara se të theksonte se, ndoshta mund të jetë e vështirë të kërkohet një mundësi tjetër e tillë, si ajo e samitit të Hanoit. “Qëndrimi ynë parimor do të mbetet i pandryshuar dhe propozimet tona nuk do të ndryshojnë kurrë, edhe nëse Shtetet e Bashkuara propozojnë negociata të tjera në të ardhmen”, tha ai. Megjithatë Shtetet e Bashkuara këmbëngulin për të kundërtën. Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ishte besimplotë për mbarëvajtjen e samitit me presidentin amerikan Donald Trump, kur mbërriti në Vietnam me trenin e tij luksoz të blinduar të mërkurën e kaluar. Por ndërsa ai u nis të shtunën drejt Koresë, duke  përshëndetur turmat para se të hipte në trenin e zbrazur, copëzimi i besimit të tij dukej qartë. "Kim nuk kishte një plan rezervë,"-tha një burim i brendshëm i bisedimeve për denuklearizimin për CNN. "Ai erdhi në Hanoi shumë i sigurt dhe plotësisht i bindur për nënshkrimin e një deklarate." Dy zyrtarë të bisedimeve, folën për CNN në mënyrë anonime, sepse ata nuk janë të autorizuar të flasin me shtypin. Ata thanë se delegacioni i Koresë së Veriut erdhi në samitin duke pritur që të largohej me një marrëveshje. Bisedimet për denuklearizimin në thelb bazoheshin në një samitin e parë mes dy vendeve në 12 qershor në Singapor. Koreano-veriorët mendonin se këtë herë do të ishte ndryshe, sepse kishin të bënin drejtpërdrejt me Presidentin Donald Trump. "Kam një ndjenjë se do dalin rezultate të mira,"-tha Kim mëngjesin e së enjtes. Pasditen e së enjtes, samiti rezultoi me një fund të papritur dhe poshtërues për koreanët e veriut. Jo vetëm se Presidenti Trump u largua nga bisedimet, por e trajtoi me mospërfillje takimin përfundimtar që ai dhe Kim duhet të bënin.