Terrori në Zelandën e Re dhe pasojat e tij
https://parstoday.ir/sq/news/world-i86567-terrori_në_zelandën_e_re_dhe_pasojat_e_tij
Shtëpia e Bardhë të dielën hodhi poshtë çdo përpjekje për ta lidhur Presidentin Donald Trump me supremacistin e bardhë të akuzuar për vrasjen e 50 personave në dy xhami të Zelandës së Re.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 18, 2019 06:20 Europe/Tirane
  • Terrori në Zelandën e Re dhe pasojat e tij

Shtëpia e Bardhë të dielën hodhi poshtë çdo përpjekje për ta lidhur Presidentin Donald Trump me supremacistin e bardhë të akuzuar për vrasjen e 50 personave në dy xhami të Zelandës së Re.

"Presidenti nuk është një supremacist i bardhë", tha shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, për programin "Fox Neës Sunday". "Nuk jam i sigurt se sa herë duhet ta themi. Le ta quajmë atë që ndodhi në Zelandën e Re ashtu siç është: një akt tragjik i tmerrshëm". Sulmuesi i dyshuar Brenton Harris Tarrant, një 28-vjeçar australian, thotë në një manifest prej 74-faqesh që e publikoi pak para se të ndodhte masakra në dy xhami në Christchurch se e shihte Trumpin si "një simbol të identitetit të bardhë të rinovuar dhe synimit të përbashkët", por se nuk i mbështeste politikat e tij. Kjo deklaratë rigjallëroi kritikat se presidenti Trump nuk ka dënuar me forcën e duhur nacionalizmin e bardhë. I pyetur të premten pas incidentit në xhami nëse shihte një rritje të nacionalizmit të bardhë, presidenti Trump tha: "Nuk e besoj. Mendoj se është një grup i vogël njerëzish që kanë shumë, shumë probleme serioze". Presidenti tha se nuk e kishte lexuar manifestin. Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë tha: "Nuk mendoj se është e drejtë ta portretizojmë këtë person si mbështetës të Donald Trumpit ashtu si nuk do të ishte e drejtë t'i shihnim më shumë pasazhet e tij eko-terroriste në manifest të përafërta me ato të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi apo ligjvënëses Alexandria Ocasio-Cortez".