11 ditët përcaktuese për Anglinë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i86841-11_ditët_përcaktuese_për_anglinë
Qeveria angleze ka 11 ditë afat kohë për të përcaktuar një propozim të ri me qëllim që të parandalojë daljen pa marrëveshje nga BE.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 30, 2019 02:50 Europe/Tirane
  • 11 ditët përcaktuese për Anglinë

Qeveria angleze ka 11 ditë afat kohë për të përcaktuar një propozim të ri me qëllim që të parandalojë daljen pa marrëveshje nga BE.

Ligjvënësit britanikë e rrëzuan për të tretën herë marrëveshjen e “Brexit”-it, të negociuar nga kryeministrja Theresa May me krerët e Bashkimit Europian. Edhe pse ajo mendonte se mbështetja pro paktit ishte shtuar, votimi solli humbjen e qeverisë. Kampi kundër kishte 58 vota më shumë. Kjo do të thotë se Mbretëria e Bashkuar e humbet afatin e vendosur nga Brukseli për ta shtyrë daljen nga blloku për më 22 maj, e për ta realizuar këtë largim me marrëveshje. May ka kohë tani deri më 12 prill për të kërkuar një shtyrje më të gjatë të procesit të negociatave, me qëllimin të shmanget “Brexit”-i pa marrëveshje në atë datë. “Rezultati i këtij votimi është vërtet për të ardhur keq. Druhem se me këtë Dhomë Komunësh po mbërrijmë në kufijtë e fundit të këtij procesi”, tha May. Lideri laburist, Jeremy Corbyn i kërkoi shefes së ekzekutivit të japë menjëherë dorëheqjen, duke krijuar kështu mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Zgjedhje të parakohshme kërkuan edhe ligjvënës të tjerë, që morën fjalën në Parlamentin britanik. Deputetë laburistë e akuzuan Mayn se e rivuri në votë marrëveshjen e saj të dështuar, për t’u shërbyer karrierave të konservatorëve të partisë së vet. Britania ka më shumë gjasa që të dalë pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian, thanë diplomatët dhe zyrtarët e bllokut të enjten, pasi parlamenti britanik dështoi të prodhonte një shumicë për çdo opsion të Brexit-it, ndërkohë që Theresa May po përpiqej të merrte miratimin e saj të divorcit. Blloku do të shtyjë përpara me përgatitjet e paparashikuara javën e ardhshme dhe po përgatitet për një takim të jashtëzakonshëm të Brexit javën e ardhshme, ndoshta më 10 prill. “Ka një rritje të ndërgjegjësimit se ka më shumë gjasa të ndodhë një dalje pa marrëveshje”, tha një diplomat i lartë i Bashkimit Europian. Gati tre vjet pasi britanikët vendosën në një referendum për të lënë bllokun, ende nuk është e qartë se si, kur apo edhe nëse divorci do të materializohet. Të dërguarit e 27 shteteve në Bruksel diskutuan të enjten dy rrugët kryesore që ata tani i shohin: Brexit ose një tjetër, vonesë e gjatë për datën e largimit të Britanisë, thanë burimet. “Një samit i jashtëzakonshëm i Brexit duket jashtëzakonisht i mundshëm. Ai do të jetë ose për të diskutuar mbi mosmarrëveshjet dhe për të zgjidhur ato, ose për të rënë dakord për një zgjatje tjetër të afatit”, tha një tjetër diplomat i lartë i BE. Me politikanët britanikë të bllokuar, BE ra dakord javën e shkuar për të vonuar Brexit nga data e 29 marsit. Britania tani do të largohet më 22 maj nëse kryeministrja arrin të miratojë marrëveshjen e saj të tërheqjes, nëpërmjet Dhomës së Komunëve.