Erdogan: Turqia ka filluar pagesat për sistemet S-400 të Rusisë
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se Turqia vazhdon të bëjë pagesa në kuadrin e një marrëveshje me Rusinë për të blerë sisteme të avancuara të raketave të mbrojtjes ajrore S-400, të cilat Uashingtoni ka paralajmëruar se mund ta vënë Ankaranë përballë sanksioneve të SHBA.
"Sistemi S-400 mban një vend të rëndësishëm në bisedimet tona. Argumentet e Shteteve të Bashkuara janë shumë të gabuara. Ne përfunduam procesin e blerjes së S-400 dhe pagesat tona vazhdojnë, "u tha Erdogan gazetarëve të premten në Stamboll. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kishin paraqitur të njëjtat kushte kur ofruan të shesin raketat Patriot. Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu tha të enjten se blerja e sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 të Rusisë, e cila ka ngritur tensionet me Uashingtonin, është një “marrëveshje e bërë” dhe nuk mund të anulohet. Blerja e këtij sistemi raketor nga ana e Turqisë, ka bërë që të tensionohen marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Washingtonit, me këtë të fundit që ka kërkuar anulimin e kontratës.Si masë presioni, Pentagoni bllokoi dërgimin e materialeve ndihmëse të avionëve F-35 në Turqi, duke u justifikuar se nuk mund të bashkëjetojnë me sistemin rus të mbrojtjes.