Venezuela e propozon Turqinë si ‘fuqi mbrojtëse’
https://parstoday.ir/sq/news/world-i88054-venezuela_e_propozon_turqinë_si_fuqi_mbrojtëse’
Përfaqësuesi i Përhershëm i Venezuelës në Kombet e Bashkuara (OKB), Samuel Moncada, tha se kanë propozuar Turqinë si ‘fuqi mbrojtëse’ për të ruajtur ambasadën venezuelase në Uashington.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 17, 2019 16:24 Europe/Tirane
  • Venezuela e propozon Turqinë si ‘fuqi mbrojtëse’

Përfaqësuesi i Përhershëm i Venezuelës në Kombet e Bashkuara (OKB), Samuel Moncada, tha se kanë propozuar Turqinë si ‘fuqi mbrojtëse’ për të ruajtur ambasadën venezuelase në Uashington.

Në konferencën për mediat në selinë e OKB-së, Moncada bëri deklarata lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për boshatisjen e Ambasadës së Venezuelës në Uashington. Moncada deklaroi se lidhjet diplomatike midis ShBA-së dhe Venezuelës janë ndërprerë dhe ShBA-ja për ambasadën e saj në Karakas si ‘shtet mbrojtës’ ka zgjedhur Zvicrën, në përputhje me Konventën e Vjenës, e cila rregullon marrëdhëniet diplomatike mes vendeve. “Kurse ne propozuam Turqinë si ‘fuqi mbrojtëse’, por ata na thanë që “Ne nuk ju njohim juve, njohim [liderin e opozitës Juan] Guaido”, sqaroi ambasadori venezuelas në OKB. Administrata amerikane ka njoftuar fillimin e procesit ligjor për evakuimin e Ambasadës së Venezuelës në Uashington, ku protestuesit dhe aktivistët vazhdojnë të presin prej disa javësh. Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) pretendon se prania në ambasadë e protestuesve që mbështesin Maduron është një veprim i jashtëligjshëm, duke e argumentuar këtë me qëndrimin e mëhershëm të Uashingtonit, i cili nuk e njeh Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro dhe si rrjedhojë ambasada i takon administratës së liderit të opozitës Juan Guaido, i cili e ka shpallur veten si presidenti i përkohshëm i Venezuelës. DASH-i u ka bërë thirrje protestuesve që të dalin vullnetarisht nga ambasada, pasi diplomati Carlos Vecchio, i cili është emëruar nga Guaido si ambasador në Uashington, ka kërkuar boshatisjen e ambasadës. Protestuesit e udhëhequr nga grupi aktivist i grave “CodePink”, që mbështesin Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, kanë rreth një muaj që qëndrojnë brenda ndërtesës së Ambasadës, kurse përkrahësit e Guaidos vazhdojnë të presin jashtë. Protestuesit thonë se ata janë ftuar brenda në ambasadë nga punonjësit e qeverisë së Venezuelës dhe policia nuk ka të drejtë që ti nxjerrë ata jashtë me forcë.