FMN: Fund luftës tregtare SHBA-Kinë!
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka kërkuar fundin e luftës tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës pasi zbuloi se tarifat aktuale mes SHBA-së dhe Kinës mund të ulin prodhimin ekonomik botëror me 0.5 përqind vitin e ardhshëm.
Në një njoftim informues të përgatitur për takimin e ministrave të financave të G20 dhe qeveritarëve të bankave qendrore në Japoni këtë fundjavë, drejtoresha e FMN Christine Lagarde tha se taksimi i gjithë tregtisë midis Kinës dhe SHBA, siç ka kërcënuar Presidenti Donald Trump, do të çonte në zhdukjen e rreth 455 miliardë dollarëve në prodhimin e brendshëm bruto në vitin 2020. Samiti i G20-ës mbahet në kohën kur dy ekonomitë më të mëdha në botë, Kina dhe SHBA-ja janë përfshirë në një mosmarrëveshje të egër rreth raporteve tregtare. Jo vetëm që SHBA-ja akuzon Kinën për vjedhjen e pronës intelektuale, por kërkon që Pekini të bëjë ndryshime në politikat e saj ekonomike, të cilat thotë se padrejtësisht favorizojnë kompanitë vendase përmes subvencioneve. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump gjithashtu dëshiron të shkurtojë deficitin tregtar të Amerikës me Kinën, për të cilën ai thotë se po dëmton prodhimin amerikan.