Zgjedhjet në Stamboll të rëndësishme për Erdoganin
Miliona votues në Turqi do u drejtohen të dielën kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri të Stambollit.
Zgjedhjet në qytetin më të madh të vendit vijnë pasi partia në pushtet kontestoi rezultatet e procesit të 31 marsit me pretendimin për parregullsi. Kandidati i opozitës, Ekrem Imamoglu, atëkohë fitoi me 0,2 për qind kundrejt rivalit të partisë kryesore, Binali Jildrim. Republikani Imamoglu i cili duket përsëri më i favorizuari në sondazhe thotë se retorika e tij nuk ka ndryshuar. "Vazhdojmë të bëjmë të njëjtat premtime si më parë por kemi një agjendë ndryshe. Jemi më pro demokracisë pasi ndodhemi në zgripin e saj,"-tha Imamoglu. Qeveria nacionaliste e Turqisë, por edhe vetë presidenti Erdogan, në javët e fundit nuk kanë kursyer etiketimet për kandidatin e opozitës, duke e quajtur Imamoglunë grushtshtetas, grek, vegël të Amerikës apo mbështetës të presidentit autokrat Sisi në Egjipt. Për shumë qytetarë turq, këto zgjedhje kanë shumë rëndësi. Qendrat e votimit në qytetin me 16 milionë banorë të Stambollit pritet të hapen të dielën në mëngjes herët, dhe rezultatet do të shpallen gjatë orëve të darkës.