Në Evropën Lindore mund të përsëritet kriza kubane e raketave
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov deklaroi se vendosja e sistemeve të raketave në Europën Lindore dhe në afërsi të kufijve të Rusisë mund të shkaktojë një konfrontim të rrezikshëm të ngjashëm me krizën raketore të Kubës, që ndodhi në momentet më të errëta të Luftës së Ftohtë.
"Në qoftë se me të vërtetë vjen deri te vendosja e sistemeve të tilla në Evropën Lindore, situata jo vetëm që do të bëhet e komplikuar, por do të përshkallëzohet deri në nivelin maksimal", tha të hënën Ryabkov para ligjvënësve rusë. Shtëpia e Bardhë thuhet se po shqyrton vendosjen e raketave të tilla në Evropën Lindore për të forcuar më tej ushtrinë e saj atje. Nëse Uashingtoni vazhdon me planin e tij, "ne mund të përfundojmë në një krizë raketore jo vetëm të ngjashme me atë që kishim në vitet 1980, por me Krizën Kubane të Raketave në vitin 1962",paralajmëroi zyrtari rus. Kremlini në mënyrë të përsëritur ka paralajmëruar Uashingtonin që të mos vendosë raketa të tilla në afërsi të kufijve të Rusisë, duke u zotuar që si përgjigje të vendosë raketat e veta, të afta për të arritur në të gjitha pjesët e Evropës.