Flota detare britanike në portat e Rusisë
Për herë të parë në 100 vjet, Britania e Madhe ka vendosur flotën e saj më të madhe në Detin Baltik për ti demonstruar forcën Rusisë.
Ndërsa Vladimir Putin deklaroi se demokracia liberale perëndimore ishte e vjetëruar, një stërvitje e madhe ushtarake po zhvillohet në Detin Baltik për të siguruar që vizioni i Presidentit rus për një rend të ri të mos imponohet me forcë. Sipas gazetës The Independent, 4,000 ushtarë, si dhe 44 anije luftarake nga 7 vende të ndryshme të udhëhequra nga Britania, morën pjesë në një mision ushtarak në Lituani, pranë rajonit të Kaliningradit. Këto manovra kanë qenë prania më e madhe e marinës britanike në Detin Baltik për një shekull dhe Kremlini e ka shpallur këtë një përpjekje ambicioze për të provokuar Moskën. Kjo vjen në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet Londrës dhe Moskës janë në nivelet më të ulëta që nga Lufta e Ftohtë.