Amerika përjashton Turqinë nga programi F-35
Shtetet e Bashkuara kanë ndërprerë pjesëmarrjen e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35. Vendimi, i njoftuar të mërkurën, vjen si përgjigje ndaj blerjes nga Turqia të sistemit rus S-400 për mbrojtjen nga raketat.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se pranimi i sistemit S-400 nga Turqia minon angazhimet e saj ndaj NATO-s. Por zyrtarët gjithashtu thanë se Turqia mbetet një partnere strategjike e rëndësishme dhe se bashkëpunimi në fushën e sigurisë do të vazhdojë. Në Turqi, zyrtarët reaguan duke thënë se kompanitë turke të mbrojtjes mund të përballen me humbje të përkohshme, por do të dalin më të forta në të ardhmen. Vendimi i Uashingtonit zyrtar për të dëbuar Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35 është kundër frymës së NATO-s, njoftoi sot Ministria e Jashtme e Turqisë, duke i bërë thirrje Aleancës Veri-atlantike që të ndryshojë vendimin e saj. “Ky veprim i njëanshëm është në shpërputhje me frymën e Aleancës dhe nuk mbështetet në ndonjë justifikim legjitim. Jo vetëm që është e padrejtë që Turqia është larguar nga programi i partneritetit, por është gjithashtu një pretendim i pasaktë se S-400 do të dobësojë F-35”, njoftoi ministria. Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë vjen vetëm disa ditë pasi në Turqi arriti dërgesa e parë e sistemit S-400. Pjesë të sistemit rus të mbrojtjes arritën nga ajri në një bazë ushtarake pranë Ankarasë, të premten, duke vulosur marrëveshjen që Uashingtoni e kishte kundërshtuar. Zyrtarët e Pentagonit thanë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara i kanë paralajmëruar anëtarët e NATO-s për pasojat. "Blerja nga Turqia e sistemit S-400 është në kundërshtim me angazhimet e saj ndaj NATO-s dhe do të ketë ndikim të dëmshëm në marrëdhëniet e Turqisë me aleancën," tha Ellen M. Lord, Nënsekretare e Mbrojtjes. Presidenti Donald Trump fajësoi administratën e mëparshme amerikane për faktin që refuzoi t’i shiste Turqisë raketa Patriot, duke e detyruar aleaten e vjetër që të kërkonte diku tjetër: "Është një situatë shumë e vështirë në të cilën ndodhen turqit por edhe ne Shtetet e Bashkuara". Turqia ka qenë kontribuese financiare për programin e avionëve F-35. Disa pjesë të tyre janë prodhuar në Turqi dhe një numër pilotësh turq janë trajnuar në Shtetet e Bashkuara për përdorimin e këtyre avionëve. E gjithë kjo tani po ndërpritet nga shqetësimet se një sistem rus në Turqi do t'u mundësonte teknikëve rusë të mblidhnin informacione mbi sistemin e avionëve të padiktueshëm nga radarët. “F-35-a nuk mund të bashkëjetojë me një platformë ruse të grumbullimit të informacioneve të klasifikuara që mund të përdorej për të mësuar rreth aftësive të avancuara të avionit'', thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila i referohet sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 si një mjet me të cilin Rusia mund të marrë informacion mbi aftësitë ushtarake të SHBA. Presidenti Donald Trump njoftoi të martën se blerja e sistemit rus S-400 nënkupton se Turqia nuk do të lejohet të blejë asnjë aeroplan F-35. "Vendimi i Turqisë është për të ardhur keq, por garantimi i sigurisë dhe integritetit të programit F-35 dhe kapacitetet që ai do t'u ofrojë partnerëve tanë, mbeten përparësia jonë kryesore", thotë zyrtari i Pentagonit, David Trachtenberg. Ka gjithashtu shqetësime se marrëveshja e Turqisë me Rusinë mund të minojë forcën dhe unitetin e NATO-s. Zyrtarët e Pentagonit thanë të mërkurën se Turqia mbetet një aleate e rëndësishme e SHBA dhe NATO-s. "Shtetet e Bashkuara vlerësojnë mjaft marrëdhëniet tona strategjike me Turqinë, që mbeten të pandryshuara", tha Trachtenberg. Turqia është anëtare e NATO-s prej më shumë se gjashtë dekadash. Por ajo është larguar pak nga pak nga aleatët e saj perëndimorë që nga grushti i dështuar i shtetit në vitin 2016 kundër presidentit të vendit Rexhep Tajip Erdogan. Grushti i dështuar solli më pas arrestimin e qindra ushtarakëve turq që kishin marrëdhënie të ngushta me partnerët e NATO-s.