Demokratja Omar e irrituar nga akuzat e Trump
Ligjvënësja amerikane nga Minesota, Ilhan Omar, e cila ka qenë objekt i disa prej sulmeve më të ashpra të Presidentit Donald Trump, u bëri thirrje mbështetësve të përballen me racizmin dhe akuzat e rreme si dhe të përqëndrohen tek mposhtja e Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Ilhan Omar tha se ajo ndihet e revoltuar se nisur nga fakti që është myslimane shumë supozojnë se ajo ka simpati për terroristët. Zonja Omar foli përpara aktivistëve demokratë myslimanë, ndërsa presidenti vazhdoi sulmet e tij kundër asaj dhe tre ligjvënëseve të tjera demokrate me ngjyrë. Ai i akuzon ato për kritika jopatriotike ndaj Shteteve të Bashkuara. Demokratja e Minesotës së bashku me koleget ligjvënëse Rashida Tlaib, që gjithashtu i përket komunitetit mysliman të Amerikës, Aleksandria Ocasio-Cortez dhe Ayanna Pressley nga shteti Masaçusets, janë akuzuar nga Presidenti Trump për ato që ai i quan komente jopatriotike. Në një postim në twitter ai shkoi më tej duke sugjeruar që ato të kthehen në vendet nga kanë ardhur. Analistët thonë se pjesa më e madhe e kritikave të presidentit ndaj ligjvënëseve janë të pavërteta e çorientuese si dhe kanë për qëllim të nxisin përkrahësit e tij, amerikanët e bardhë, përpara zgjedhjeve presidenciale të 2020-s.