Trump konfuz mbi luftën tregtare me Kinën
Presidenti Donald Trump është shprehur se SHBA dhe Kina do "rinisin" shumë shpejt bisedimet tregtare pas përshkallëzimit të tensioneve me Pekinin.
“Kina na telefonoi mbrëmë dhe tha le të kthehemi në tryezë. Kështu që ne do kthehemi në tryezën e bisedimeve,”-u shpreh ai.Të premten Trump rriti me shpejtësi tarifat ndaj miliarda dollarë importeve kineze si shenjë hakmarrje ndaj tarifave të Pekinit. Kina ende nuk ka komentuar, por më herët bëri thirrje për qetësi për të zgjidhur çështjen. Në samitin e G7 në Biarritz të hënën, presidenti amerikan tha se zyrtarët kinezë e kishin telefonuar mbrëmjen e së dielës dhe se Pekini dëshironte të bënte një marrëveshje. "Ne do të fillojmë shumë shpejt negociatat por mendoj se do të arrijmë një marrëveshje,"-shtoi Trump. SHBA po përpiqet të detyrojë Pekinin të reformojë praktikat e tij tregtare, duke argumentuar se firmat amerikane përballen me një fushë të pabarabartë loje për shkak të çështjeve të tilla si vjedhja e pronës intelektuale. Sidoqoftë, aleatët e Amerikës i kanë bërë presion Trump në samitin e G7 në Francë, duke paralajmëruar se lufta tregtare po kërcënon ekonominë globale. Të dielën në mëngjes presidenti Trump dukej se po zbuste qëndrimin e tij për luftën e tij tregtare me Kinën. "Po e mendoj përsëri gjithçka", tha presidenti kur u pyet për këtë çështje. Disa orë më vonë Sekretarja e tij e Shtypit Stephanie Grisham tha se deklarata e presidentit është "keqinterpretuar shumë". Ajo shtoi se, "Presidenti Trump u përgjigj në atë mënyrë – duke shprehur keqardhje që i ngriti edhe më shumë "tarifat për mallrat kineze ". Deklarata duket se është përpjekje e Shtëpisë së Bardhë për të kontrolluar mesazhin. Presidenti Trump shpesh thekson se ai është i vetmi udhëheqës amerikan që mund të "përballet me Kinën", dhe po vë bast se qëndrimi i tij agresiv do ta ndihmojë atë të fitojë mbështetjen e bazës së tij, në përpjekjet për t’u rizgjedhur në vitin 2020. Drejtuesit e G-7 kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e luftës tregtare, me presidentin francez, Emmanuel Macron që tha se shpreson që liderët të tërhiqen nga një luftë gjithëpërfshirëse. Duke folur përkrah presidentit Trump gjatë takimit të tyre në mëngjes, Kryeministri britanik Boris Johnson kundërshtoi publikisht deklaratën e zotit Trump se drejtuesit e tjerë nuk i kanë bërë presion të hiqte dorë nga lufta tregtare me Kinën, që besohet se po shkaktonte pasiguri në ekonominë globale dhe paqëndrueshmëri në tregjet e aksioneve. "Për të qenë të saktë, për pikëpamjen tonë në luftën tregtare, ne jemi në favor të paqes tregtare në tërësi, dhe për ta zbutur atë nëse kemi mundësi," tha kryeministri britanik Johnson, i cili shihet si një aleat i natyrshëm i presidentit Trump për shkak të ngjashmërive në politikat e tyre populiste.