Macron: Evropa të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i90500-macron_evropa_të_përmirësojë_marrëdhëniet_me_rusinë
Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se kontinenti evropian nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm dhe i sigurt nëse marrëdhëniet e tij me Rusinë nuk zgjidhen.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Gusht 28, 2019 16:57 Europe/Tirane
  • Macron: Evropa të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë

Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se kontinenti evropian nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm dhe i sigurt nëse marrëdhëniet e tij me Rusinë nuk zgjidhen.

Duke folur me diplomatët e huaj pas përfundimit të samitit të G-7-ës në Francë, zoti Macron e pranoi se disa aleatë do të refuzojnë çdo lloj bisedimesh me Rusinë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. "Mendoj se duhet të ndërtojmë një model të ri për sigurinë dhe besimin në Evropë. Kontinenti evropian nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm dhe i sigurt nëse nuk gjen paqe dhe përmirësim të marrëdhënieve me Rusinë. Të jemi të qartë se kjo nuk është në interes të disa prej aleatëve tanë. Disa prej tyre gjithmonë do të bëjnë presion për të vendosur më shumë sanksione ndaj Moskës. Kjo është në interesin e tyre, edhe nëse ata janë miqtë tanë. Por nuk është në interesin tonë", tha Presidenti francez Emmanuel Macron. Macron tha se Rusia nuk mund të pranohet në grupin G7 si anëtare e plotë për shkak të veprimeve të saj në Britani dhe Ukrainë, por ai tha se largimi i saj nga Evropa është një gabim strategjik, i cili ka bërë që Moska të ndërtojë aleanca diku tjetër. Ai tha se Franca dëshiron ta ndryshojë këtë dhe është e gatshme të veprojë vetë nëse Rusia i plotëson kushtet kryesore në lidhje me konfliktin në Ukrainë. Macron tha se përfaqësuesit e Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës do të takohen muajin tjetër për të diskutuar rrugët drejt paqes në Ukrainë. Ndërkohë, këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, John Bolton u tha ukrainasve të martën të mos prisnin ndonjë zgjidhje nga evropianët.