Hong Kongu tërheq projektligjin për ekstradim
Shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam ka tërhequr projekligjin për ekstradim, që ka nxitur protesta për disa muaj, duke thënë se shpreson që ky territor kinez të mos përballet më me këtë situatë.
Megjithatë, aktivistët pro-demokracisë kanë thënë se një vendim i tillë nuk do t’i japë fund krizës.
Në një transmetim televiziv, Lam është zotuar se “qeveria do të tërheqë zyrtarisht projektligjin në mënyrë që t’iu përgjigjet shqetësimeve publike”.
Ajo është zotuar se bashkë me zyrtarë tjerë “do t’i drejtohen komunitetit për të nisur dialog të drejtpërdrejtë”, duke shtuar se “neve na duhet që patjetër të adresojmë pakënqësitë në shoqëri dhe të gjejmë zgjidhje”.
Ende nuk është bërë e qartë nëse përmbushja e një prej kërkesave të protestuesve do të jetë e mjaftueshme për marshuesit që të ndalin organizimet.
“Shumë pak, shumë vonë”, ka thënë aktivisti pro demokracisë, Joshua Wong, në llogarinë e tij në rrjetin social, Facebook.
Edhe protestues tjerë kanë qenë të mendimit të njëjtë.