Kina akuzon SHBA-në për ndërhyrje në punët e brendshme
Ministria e Jashtme e Kinës akuzoi të enjten ligjvënësit amerikanë për ndërhyrje në punët e saj të brendshme, pas ftesës që ligjvënësit u bënë aktivistëve të demokracisë në Hong Kong për të dëshmuar në Kongresin e SHBA.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang tha se Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe ligjvënës të tjerë amerikanë tejkaluan autoritetin e tyre duke u angazhuar me ata që ai i cilësoi separatistë të Hong Kongut. “Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalin inkurajimin e forcave radikale të dhunshme në Hong Kong që janë për pavarësinë e Hong Kongut dhe të ndalin gjithashtu intensifikimin e fjalëve dhe veprimeve të cilat dëmtojnë begatinë dhe stabilitetin e Hong Kongut,” tha ai në një konferencë shtypi në Pekin. Të martën, aktivisti i njohur i Hong Kongut Joshua Wong u kërkoi ligjvënësve amerikanë të mbështesin të drejtat e njeriut dhe demokracinë në territorin gjysmë autonom kinez, duke deklaruar se, “Rreziku nuk ka qenë kurrë më i madh”. Ligjvënësit amerikanë do të ndërmarrin hapa javën e ardhshme për të filluar miratimin e legjislacionit që synon luftën kundër abuzimeve me të drejtat e njeriut në Hong Kong, çka synon të dërgojë sinjalin e mbështetjes afatgjatë për aktivistët e demokracisë atje. Nëse miratohet, projektligji do të lejonte që Presidenti Donald Trump të përdorë Ligjin Magnitsky për t’i vënë sanksione autoriteteve të Hong Kongut dhe të Kinës për shkelje të të drejtave të njeriut, duke garantuar njëkohësisht se protestuesve nuk do t’u mohohen vizat e hyrjes në Shtetet e Bashkuara.