Ndahet nga jeta Zhak Shirak
Ish-presidenti francez, Zhak Shirak, (Jacques Chirac) ndërroi jetë të enjten në moshën 86-vjeçare.
Politikani djathtist më i pëlqyer i vendit që drejtoi dy herë shtetin në vitet 1995-2007, si edhe kryeministrinë dhe Parisin për 18 vite, vuante prej kohësh nga sëmundjet e moshës, dhe ishte tërhequr nga skena publike. Shirak, i etiketuar si "buldozer" apo "vrasës i rivalëve politikë" do të mbahet mend në skenën franceze për reformat e gjithanshme politike dhe ekonomike, për avancimin e nismave për sigurinë rrugore, për zbutjen e tensioneve dhe pabarazisë sociale, për apologjinë kundrejt hebrenjve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, për uljen e mandatit presidencial nga 7 në 5 vite, apo për artin e joshjes së publikut me takime të zgjatura duarsh dhe përqafime. Në arenën ndërkombëtare, Shirak do të kujtohet veçanërisht për vendimin e vitit 2003, kur doli kundër aleatit të vet, Amerikës, për çështjen e pushtimit të Irakut, por edhe për kontributin në përfundimin e luftës së Bosnjës dhe miqësinë me shtetet arabe. Megjithatë, politikanin e vjetër në vitet e fundit në pushtet e rënduan skandalet për korrupsion dhe për përvetësimin e fondeve publike me qëllim financimin e partisë që dy dekada, akuza për të cilat në vitin 2011 do të dënohej me 2 vite burg.