1,4 miliard dollarë “dënimi i parë” që i vjen Turqisë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i91698-1_4_miliard_dollarë_dënimi_i_parë_që_i_vjen_turqisë
Volkswagen ka ndaluar një investim të planifikuar 1.4 miliard dollarë në Turqi, si rezultat i ofensivës ushtarake të këtij vendi në Siri.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 15, 2019 18:20 Europe/Tirane
  • 1,4 miliard dollarë “dënimi i parë” që i vjen Turqisë

Volkswagen ka ndaluar një investim të planifikuar 1.4 miliard dollarë në Turqi, si rezultat i ofensivës ushtarake të këtij vendi në Siri.

Sipas CNN, prodhuesi më i madh në botë, i cili operon 122 impiante prodhimi në të gjithë botën, ishte duke u përgatitur të merrte një vendim përfundimtar për një fabrikë të planifikuar për provincën perëndimore Manisa të Turqisë. “Vendimi për uzinën e re u shty nga bordi i menaxhimit të Volkswagen AG”, tha kompania në një deklaratë. “Ne po vëzhgojmë situatën me kujdes dhe jemi të shqetësuar për zhvillimet e tanishme”. Turqia nisi një operacion ushtarak javën e kaluar në territoret në Sirinë Veriore të kontrolluar nga kurdët, një pakicë etnike, aleate me Shtetet e Bashkuara. Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka kërkuar presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan që të përfundojë ofensivën, duke përmendur rrezikun e pasojave të rënda humanitare dhe një ringjallje nga ISIS. Po sipas CNN, qeveria gjermane gjithashtu është bashkuar me Francën, Norvegjinë, Finlandën dhe Holandën në urdhërimin e ndalimit të shitjeve të pajisjeve ushtarake në Turqi. Presidenti amerikan Donald Trump, i cili është akuzuar për “hapjen e një shtegu për operacionin e Turqisë” duke larguar trupat amerikane jashtë veriut të Sirisë, të hënën njoftoi sanksione të reja ndaj disa ministrave turq. Trump gjithashtu tha që Shtetet e Bashkuara do të rrisin tarifat mbi eksportet turke të çelikut në 50% dhe “menjëherë” të ndalojnë negociatat tregtare me Ankaranë.