OKB mirëpret ndërprerjen e operacionit turk në Siri
Sekretari i përgjithshëm i OKB ka mirëpritur ndërprerjen e operacionit ushtarak të Turqisë në veri të Sirisë.
Antonio Guterres, pasi mirëpriti ndërprerjen e operacionit ushtarak të Turqisë në veri të Sirisë tha se OKB do të bëjë çdo përpjekje për të çtensiuanuar situatën në veri të Sirisë dhe për të mbrojtur jetën e njerëzve. Mike Pence të enjten në mbrëmje pas takimit me Presidentin turk Rexhep Taip Erdogan në Ankara njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord me Turqinë për një armëpushim pesë-ditor në veri të Sirisë. Sipas marrëveshjes amerikano-turke, Ankaraja do të ndalojë operacionet ushtarake në veri të Sirisë për pesë ditë deri sa militantët kurd të tërhiqen 20 milje larg nga kufiri turk. Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të lehtësojnë tërheqjen e milicëve kurde nga rajoni i ashtuquajtur "i sigurt" dhe pas kësaj një armëpushim i përhershëm do të vendoset pas tërheqjes së tyre. Shtetet e Bashkuara gjithashtu gjatë kësaj periudhe do të heqin sanksionet e vendosura ndaj Turqisë dhe nuk do të imponojnë sanksione të reja. Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu gjithashtu në një konferencë shtypi tha se Ankaraja do të pezullonte operacionet në veri të Sirisë për të monitoruar tërheqjen e militantëve kurdë.