Vazhdojnë tensionet mes Trump dhe demokratëve
Ligjvënësit amerikanë të enjten hedhin hapin e parë për nisjen procedurave legjitime për hetimin dhe shkarkimin e presidentit Donald Trump.
Procesi u provokua nga një telefonatë e presidentit në muajin korrik, ku ai kërkonte ndërhyrjen e Ukrainës që të investigonte dyshimet se rivali politik, Joe Biden dhe djali i tij në kohën e presidencës së Barak Obamës kishin marrë ryshfete nga një kompani ukrainase. Demokratët në dhomën e ulët të Kongresit prej javësh po pyesin personat në dijeni të ngjarjes. Të martën pritet dëshmia e rëndësishme e ekspertit amerikan për çështjet e Ukrainës, Aleksandër Vindman, i cili në momentin e telefonatës ishte i pranishëm dhe kishte shprehur shqetësim për përmbajtjen. Procedurat për ngritjen e akuzave formale kundër Trump nuk janë hedhur në votim deri tani, ndaj rivalët republikanë e kanë cilësuar të paligjshme veprimtarinë me dyer të mbyllura të komisioneve hetimore. Presidenti Trump e ka konsideruar nismën linçim politik. Rezoluta kundër tij të enjten pritet të marrë votat e dhomës së përfaqësuesve, ku demokratët janë në shumicë. Ndër të tjera parashikohet që pyetja e dëshmitarëve për skandalin e Ukrainës të jetë e hapur për mediat.