Nevoja për ndryshimin e NATO-s!
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të premten se NATO-ja duhet të rritet dhe të ndryshojë përndryshe rrezikon të vjetërsohet. Komentet e tij vijnë një ditë pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron dhënë revistës The Economist se aleanca është në vdekje klinike, komente që u hodhën poshtë nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Mike Pompeo tha se aleanca është ndoshta një nga më të rëndësishmet "në të gjithë historinë e derisotme". Pas fjalimit në Berlin, sekretari Pompeo iu përgjigj pyetjes nëse NATO-ja është e vjetërsuar ose klinikisht e vdekur. Ai u përgjigj se pas 70 vjetësh, aleanca duhet të rritet dhe të ndryshojë, duhet të përballet me realitetet dhe sfidat e sotme. "Nëse vendet e ndryshme besojnë se mund të marrin përfitimet që sjell siguria pa i siguruar NATO-s burimet që i duhen, nëse ato nuk i respektojnë angazhimet e tyre, ekziston rreziku që NATO-ja të bëhet e paefektshme ose e vjetërsuar,” tha ai. Në fjalim, Pompeo kritikoi trajtimin e Rusisë ndaj kundërshtarëve politikë dhe tha se taktikat e saj duhet të jenë mjaft të njohura për njerëzit e ish-Gjermanisë Lindore. Ai tha se vendet e lira janë në konkurrencë vlerash me vendet më pak të lira. Pompeo ndodhet në Gjermani në prag të 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Duke reflektuar mbi mësimet e nxjerra nga rënia e Muri në vitin 1989, zoti Pompeo tha se "Perëndimi dhe të gjithë ne humbëm rrugën në muzgun që ra pas atij momenti krenar". "Ne menduam se mund t'i zhvendosnim burimet tona larg aleancave dhe ushtrive tona, por e kishim gabim,” tha ai. "Sot, Rusia udhëhiqet nga një ish oficer i KGB-së, dikur i stacionuar në Dresden. Ajo pushton fqinjët dhe vret kundërshtarët politikë". "Ne nuk duam që furnizimet me energji të Evropës të varen nga Vladimir Putini," shtoi ai, duke iu referuar tubacionit të gazit Nord Stream 2 i cili do të transportojë gaz natyror nga Rusia në Gjermani.