Ambasadori amerikan në BE "shet" Trumpin
Ambasadori amerikan në BE deklaroi përpara komisionit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve se ka qenë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta detyruar Ukrainën të hapte një hetim mbi Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter.
Gordon Sondland, sapo shpëtoi veten dhe vuri në rrezik presidencën e Donald Trump-it komentoi CNN.“Unë ndoqa udhëzimet e presidentit”, u shpreh Sondland. Pohimi i tij konsiderohet si grusht i fortë për Shtëpinë e Bardhë që këmbëngul se nuk ka pasur lidhje mes ndihmës ushtarake apo vizitës së presidentit ukrainas në Washington, dhe hetimeve për ish-zëvendëspresidentin amerikan. Sonland pohoi qartë se ka ekzistuar kushtëzimi, një veprim që në SHBA njihet si “quid-pro-quo”. Sondland deklaroi se ka punuar me avokatin personal të Trump-it, Rudy Giuliani, “për të thyer bllokadën” dhe për të garantuar sërish ndihmën për Kievin, një ndihmë që mbërrinte në qindra miliona dollarë. “Giuliani ka shprehur dëshirën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe ne e kemi ditur se këto hetime kanë qenë të rëndësishme për kreun e shtetit”, është shprehur ambasadori.