Konservatorët i frikësohen vizitës së Trump në Londër
Kryeministri britanik Boris Johnson, tha të premten se do të ishtë më mirë nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk përfshihet në zgjedhjet e Britanisë gjatë vizitës në Londër për Samitin e NATO-s javën tjetër.
Trump kishte thënë në tetor se lideri i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, do të ishte zgjidhje e keqe për Britaninë dhe se Johnson duhet të bëjë një marrëveshje parazgjedhore me liderin e Partisë së Brexit-it Nigel Farage". Të premten, një zyrtar i administratës së presidentit Trump tha se presidenti nuk është i interesuar të ndërhyjë në zgjedhjet e ndonjë shteti tjetër. Por, konservatorët e Johnsonit janë të shqetësuar nëse vizita e Trumpit në Londër do të ketë ndikim në fushatë, derisa sondazhet tregojnë rritje të popullaritetit, raporton Reuters. Presidenti amerikan, Donald Trump, në fillim të dhjetorit, do të vizitojë Londrën për të marrë pjesë në një samit të NATO-s. Trump do të qëndrojë në Britaninë e Madhe në ditët e fundit të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara për 12 dhjetor. Këto zgjedhje janë të rëndësishme, për të adresuar çështjen e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Presidenti amerikan, nuk e ka fshehur më parë mbështetjen e tij për kryeministrin britanik, Boris Johnson. Trump është zotuar për një marrëveshje tregtare "madhështore" pasi Britania të tërhiqet nga anëtarësimi në BE. Sidoqoftë, ai kohët e fundit shprehu rezerva në lidhje me ujdinë që "miku i tij" Johnson kishte arritur me Brukselin për Brexitin, duke deklaruar se një marrëveshje e tillë nuk do të ishte e mirë për një marrëveshje të ardhshme tregtare me SHBA-në. Presidenti amerikan ishte në Londër në fillim të qershorit, pak para dorëheqjes së kryeministres së atëhershme, Theresa May, të cilën ai e kishte kritikuar disa herë. Ndryshe, Johnson kishte thënë se nëse fiton edhe një mandat do të përfundojë marrëveshjen e Brexit-it më 31 janar - katër vjet pas krizës së madhe politike nga referendumi i vitit 2016 në të cilin populli britanik votuan për dalje nga Bashkimi Evropian.