Koreja e Veriut: SHBA nuk kanë asgjë për të ofruar
Koreja e Veriut e ka konsideruar "marrëzi" një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të thirrur nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Uashingtoni nuk ka çfarë të ofrojë në bisedimet e mundshme bërthamore me Pyongyang-un.
"SHBA flet për dialog sa herë që hap gojën, por është shumë e natyrshme që Shtetet e Bashkuara nuk kanë asgjë për të paraqitur para nesh, megjithëse dialogu mund të hapet," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut në një deklaratë të publikuar të enjten nga agjensia shtetërore e lajmeve KCNA. Deklarata erdhi vetëm një ditë pasi Këshilli i Sigurimit mbajti një seancë mbi kërcënimin e supozuar të përshkallëzimit nga ana e Koresë së Veriut. Uashingtoni, i cili është presidenti i këshillit për dhjetorin, e kishte thirrur këtë takim në fillim të javës. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të mërkurën, Uashingtoni paralajmëroi Pyongyang-un për pasojat nëse zbatonte kërcënimet e tij për një testim spektakolar të raketave në Vitin e Ri, ndërsa njëkohësisht ofroi fleksibilitet nëse Koreja e Veriut do të qëndronte në bisedime. Në deklaratën e tij të enjten, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut paralajmëroi Uashingtonin se Pyongyang-u ishte gati të ndërmerrte çdo kundërpërgjigje ndaj SHBA. "Amerika na kërcënon. Ne nuk kemi asgjë për të humbur më shumë dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim një kundërmasë që korrespondon me çdo gjë të cilën e zgjedhin SHBA-të", thuhet në deklaratë.