Turqia e zemëruar, marrëdhëniet Ankara-Uashington në udhëkryq
https://parstoday.ir/sq/news/world-i93162-turqia_e_zemëruar_marrëdhëniet_ankara_uashington_në_udhëkryq
Senati amerikan ka njohur zyrtarisht vrasjet e armenëve një shekull më parë si "gjenocid", duke shkaktuar reagime të zemëruara nga Turqia që hedh poshtë një klasifikim të tillë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 13, 2019 15:06 Europe/Tirane
  • Turqia e zemëruar, marrëdhëniet Ankara-Uashington në udhëkryq

Senati amerikan ka njohur zyrtarisht vrasjet e armenëve një shekull më parë si "gjenocid", duke shkaktuar reagime të zemëruara nga Turqia që hedh poshtë një klasifikim të tillë.

Senati të enjten e miratoi unanimisht rezolutën. Legjislacioni joobligativ tashmë kishte kaluar Dhomën e Përfaqësuesve në tetor. Rezoluta ishte bllokuar tre herë me kërkesë të administratës së Presidentit Donald Trump, por fitoi miratimin në përpjekjen e katërt. Gjatë Luftës së Parë Botërore otomanët dëbuan më shumë se 1.5 milionë armenë të minoritetit ortodoks nga Perandoria me shumicë myslimane. Shumë historianë dhe një sërë shtetesh i konsiderojnë këto vrasje si gjenocid. Por Turqia e mohon këtë me forcë, duke insistuar se armenët kanë vdekur si rezultat i Luftës së Parë Botërore. Turqia pranon që shumë armenë që jetonin në Perandorinë Osmane u vranë në përleshje me forcat osmane, por kundërshtojnë numrin e viktimave, duke thënë se numri i tyre është ekzagjeruar. Ankaraja gjithashtu argumenton se akuza të tilla nuk marrin parasysh numrin e vdekjeve turke gjatë konfliktit. Kryeministri armen, Nikol Pashinian e quajti lëvizjen e Senatit "një fitore të drejtësisë dhe të vërtetës", por qeveria në Ankara e dënoi këtë veprim, duke paralajmëruar se do të ndikojë në lidhjet SHBA-Turqi. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu e quajti vendimin një "show politik", ndërsa zëdhënësi i presidentit Ibrahim Kalin tha se Ankaraja e dënon me forcë dhe e kundërshton vendimin e Senatit amerikan. "Historia do t'i shënojë këto rezoluta si veprime të papërgjegjshme dhe joracionale të disa anëtarëve të Kongresit amerikan kundër Turqisë," deklaroi Fahrettin Altun, drejtori i komunikimit në Turqi. Trump ka kërkuar një marrëdhënie më të ngushtë me Turqinë dhe Presidentin Rexhep Tajip Erdogan, por Kongresi amerikan ka qenë i bashkuar në kundërshtimin e tij të veprimeve të fundit të qeverisë së Turqisë. Senatorët republikanë janë zemëruar me blerjen nga Turqia të sistemit të raketave ruse S-400, për të cilën Uashingtoni thotë se përbën një kërcënim për avionët e tij luftarakë F-35 dhe nuk mund të integrohet në sistemet e armëve të NATO-s. Ligjvënësit republikanë janë përpjekur gjithashtu për të ndëshkuar Turqinë për operacionin e saj ushtarak ndaj kurdëve në Siri në tetor. Ata fajësojnë Trumpin se i dha dritën jeshile Ankarasë për ofensivën e saj ushtarake.