Pekini dhe Uashingtoni arrijnë një marrëveshje paraprake tregtare
Falë përpjekjeve të përbashkëta të ekipeve ekonomike-tregtare kineze dhe amerikane, të dy palët kanë arritur një marrëveshje mbi tekstin e marrëveshjes ekonomike dhe tregtare të fazës së parë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, mbi bazën e parimeve të barazisë dhe respektit të ndërsjellë.
Teksti i marrëveshjes përfshin nëntë pika: preambulën, pronësinë intelektuale, transferimin e teknologjisë, ushqimet dhe produktet bujqësore, shërbimet financiare, kursin e këmbimit dhe transparencën, zgjerimin e tregtisë, vlerësimet dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe klauzolat përfundimtare. Në të njëjtën kohë, të dy palët arritën marrëveshje që Shtetet e Bashkuara të përmbushin angazhimet e tyre përkatëse për të anuluar rritjen e tarifave për produktet kineze në faza dhe të realizojnë kalimin nga rritja në uljen e tarifave. Pala kineze beson se Kina dhe Shtetet e Bashkuara, si dy ekonomitë më të mëdha në botë, duhet të merren me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis tyre bazuar në situatën e përgjithshme. Përfundimi i mosmarrëveshjeve ekonomike-tregtare është në interesin themelor të popullit kinez dhe të popullit amerikan, si edhe të popujve të botës, dhe do të ketë një efekt pozitiv në ekonomi, tregti, investime e tregjet financiare. Në kontekstin e presionit aktual të rënies së ekonomisë globale, kjo marrëveshje ndihmon për të rritur besimin e tregut global, duke stabilizuar pritjet e tregut dhe duke krijuar një ambient të mirë për aktivitetet normale ekonomike e tregtare dhe të investimeve.