Britania e përçarë
(last modified Sat, 14 Dec 2019 20:02:36 GMT )
Dhjetor 14, 2019 21:02 Europe/Tirane
  • Britania e përçarë

Megjithëse Boris Johnson fitoi në zgjedhje, qindra protestues kanë mbushur rrugët e Londrës në kundërshtim të tij.

Duke kundërshtuar vendimin e tij për Brexit, ata u bënë të dhunshëm dhe u përleshën me forcat e rendit, të cilët iu kundërvënë duke formuar një kordon, në përpjekje që t’i ndalonin. “Boris Johnson nuk është kryeministri im”, ishte një prej sloganeve të shumtë, në kundërshtim me zgjedhjen e tij në krye të qeverisë, megjithëse mbi 14 milionë kanë votuar për të. Gjatë zhvillimit të protestës, rrugët kryesore të kryeqytetit anglez kanë qenë të bllokuara, me protestuesit që thërrisnin kundër kryeministrit të ri, që e konsideronin si racist. Johnson pritet të njoftojë për formimin e qeverisë të hënën derisa deputetët do të kthehen në ulëset e Parlamentit të enjten, për t’u betuar para mbretëreshës Elizabeta. Johnson fitoi me 80 deputetë më shumë në dhomën e komunave, që është edhe fitorja më e madhe e partisë së tij në 30 vite, duke lënë mënjanë laburistët edhe në bastionet tradicionale të tyre. Në kontrast, laburistët shënuan rezultatin më të keq në zgjedhje që nga 1930. Megjithatë, shqetësimi më i madh është dëmi i pariparueshëm që do të ketë rezultati i zgjedhjeve të fundit në një vend tashmë thellësisht të ndarë dhe të polarizuar. Skocia duket se i ka kushtuar vëmendje thirrjes së lideres së Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) për të marrë përsëri kontrollin, me SNP që parashikohet të fitojë 55 nga 59 vendet parlamentare të vendit. Në Skoci pritet të kemi një shtysë masive për një referendum të dytë për pavarësi. Qeveria konservatore natyrisht do ta kundërshtojë një veprim të tillë. Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon megjithatë ka thënë se Johnsoni nuk ka mandat për ta nxjerrë vendin e saj nga BE. A do të kërkojnë nacionalistët irlandezë, që kanë fituar për herë të parë më shumë vota sesa unionistët pro-britanikë të kërkojnë në një votim shkëputje nga Britania e Madhe? Rezultati i këtyre zgjedhjeve përcakton rolin e ardhshëm të Mbretërisë së Bashkuar në botë. Ai shënon edhe një transformim masiv të politikës britanike që do të ndihet në të gjithë vendin për vitet e ardhshme.

 

Tags