"E marta e zezë" bllokon transportin publik në Francë
Protestat për reformën e pensioneve paralizuan të martën për të 13-ën ditë qytetet franceze.
Krerët sindikalistë, mësues, nëpunës civilë, gjykatës, doktorë e punëtorë të transportit publik u mobilizuan kudo duke i bëra të ditura pakënaqësitë e tyre presidentit Emanuel Makron. Anulimi dhe vonesat me linjat e metrosë revoltoi sërish qytetarët, të cilët këto dy javë i kanë ndjerë më së shumti pasojat e aksionit kombëtar. Edhe aeroporti i Orlisë në Paris u prek nga greva, duke tërhequr 20 për qind të fluturimeve. Sekretari i shtetit për transportin, Zhan-Baptist Xhebari, garantoi se lëvizja me trena do të jetë më pak problematike ndërsa afrojnë Krishtlindjet. "Kompania shtetërore e hekurudhave do prezantojë një plan. Objektivi është të kemi numrin maksimal të trenave në shërbim, që të mund të udhëtojë mbi 50 për qind e popullit francez." Qeveria franceze dhe sindikatat pritet të mërkurën të vazhdojnë negociatat për reformën e pensioneve. Veç unifikimit të sistemit, ajo parasheh edhe rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.