Vazhdojnë protestat në Francë
Protesta të tjera masive janë mbajtur në Francë kundër reformës së pensioneve. Në ditën e protestës, paralizimi i transportit publik sërish provokoi ankesa nga banorët. Sindikatat zotohen të vazhdojnë aksionin nëse shqetësimet e tyre nuk adresohen.
Protestat për reformën e pensioneve paralizuan Francën pas dis ditë. Krerët sindikalistë, mësues, nëpunës civilë, gjykatës, doktorë e punëtorë të transportit publik u mobilizuan kudo duke i bëra të ditura pakënaqësitë e tyre presidentit Emanuel Makron. Anulimi dhe vonesat me linjat e metrosë revoltoi sërish qytetarët, të cilët këto dy javë i kanë ndjerë më së shumti pasojat e aksionit kombëtar. "Kjo gjë po ngjall nervozizëm. Nuk jam unë ai që ideoi reformën e pensioneve. Ndihem krejtësisht i marrë peng, tani edhe më i nervozuar." Edhe aeroporti i Orlisë në Paris u prek nga greva, duke tërhequr 20 për qind të fluturimeve. Sekretari i shtetit për transportin, Zhan-Baptist Xhebari, garanton se lëvizja me trena do të jetë më pak problematike ndërsa afrojnë krishtlindjet. "Kompania shtetërore e hekurudhave do prezantojë një plan. Objektivi është të kemi numrin maksimal të trenave në shërbim, që të mund të udhëtojë mbi 50 për qind e popullit francez." Qeveria franceze dhe sindikatat pritet të vazhdojnë negociatat për reformën e pensioneve. Veç unifikimit të sistemit, ajo parasheh edhe rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 në 64 vjeç. Mbajtja në vend e bisedimeve u rikthen në kujtesë qytetarëve situatën e vitit 1995, kur propozimet e kryeministrit të atëhershëm, Alen Zhupe, për mirëqenien sociale dhe pensionet, do të kundërshtoheshin me greva publike për dy muaj me radhë.