Askush nuk e beson verdiktin saudit mbi vrasjen e Jamal Khashoggi
Ahmed Benchemsi, zëdhënësi i Human Rights Watch, i tha televizionit katariot Al Jazeera se gjyqi në lidhje me vrasjen e Jamal Khashoggi ishte formal dhe i inskenuar.
Çështja ishte " e zhytur në fshehtësi që nga fillimi, dhe është akoma ... deri më tani ... Ne nuk dimë identitetin e atyre autorëve të maskuar, nuk e dimë akuzën specifike të ngritur ndaj kujt saktësisht," tha ai. "Prokurorët sauditë as nuk u përpoqën të hetojnë nivelet e sipërme të këtij krimi, dhe nëse ata luajtën një rol në urdhërimin e vrasjes, përfshirë Princin e Kurorës, Muhamed bin Salman," shtoi zëdhënësi i Human Rights Watch. Adam Coogle, i cili hulumton Arabinë Saudite për HRW, nënvizoi nevojën për një hetim të pavarur. "Përjashtimi i udhëheqjes së lartë të Arabisë Saudite nga akuzat për vrasjen e Jamal Khashoggi ngre shqetësime serioze për ndershmërinë e procedurës penale," tha ai. Ndërkohë, Amnesty International e ka hedhur poshtë aktgjykimin si "një fshirje gjurmësh" dhe tha se zyrtarët sauditë kanë dështuar të bëjnë drejtësi për gazetarin e vrarë dhe familjen e tij. "Ky aktgjykim ... nuk sjell as drejtësi dhe as të vërtetën për Jamal Khashoggi dhe të dashurit e tij. Gjyqi ka qenë i mbyllur për publikun dhe monitoruesit e pavarur, pa asnjë informacion në dispozicion se si është kryer hetimi", tha në një deklaratë Lynn Maalouf, Drejtoresha e Studimeve për Lindjen e Mesme të Amnesty International. "Aktgjykimi nuk arrin të adresojë përfshirjen e autoriteteve saudite në këtë krim mizor ose të sqarojë vendndodhjen e mbetjeve të Jamal Khashoggi," shtoi ajo. Vendimi i prokurorisë saudite për dosjen e vrasjes së Khashoggi ka shkaktuar një valë të gjerë irritimi në organizatat ndërkombëtare dhe në qeveritë e vendeve të ndryshme të botës. Agnes Callamard, raportuesja e OKB për vrasjen e Khashoggi, e dënoi aktvendimin si një "shkelje", duke theksuar se gjyqi nuk kishte marrë parasysh përfshirjen e shtetit. "Ekzekutimi i Jamal Khashoggi kërkon një hetim në zinxhirin e komandës për të identifikuar planifikuesit, si dhe ata që nxitën, lejuan ose që mbyllën sytë, siç është Princi i Kurorës," shkroi ajo. “Kjo nuk u hetua. Konkluzioni: ekzekutuesit janë fajtorë, të dënuar me vdekje. Planifikuesit jo vetëm që ecin të lirë, por mezi janë prekur nga hetimi dhe gjykimi. Kjo është antiteza e drejtësisë. Kjo është tallje ”, thekson Agnes Callamard. Fahrettin Altun, një zëdhënës i Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, tha se zyrtarëve sauditë që kishin urdhëruar operacionin "ju dha imunitet". "Të pretendosh se një grup i vogël i operativëve të inteligjencës kanë kryer këtë vrasje është të tallesh me inteligjencën e botës," deklaroi ai. Bordi redaktues i Uashington Post i quajti dënimet e së hënës "një poshtërim i drejtësisë". "Verdikti është një fyerje për familjen e Khashoggi dhe për të gjithë ata, përfshirë një shumicë bipartizane në Kongres, të cilët kanë kërkuar të vërtetën për këtë çështje," shkroi bordi redaktues i Uashington Post. Bordi redaktues paralajmëroi gjithashtu komunitetin ndërkombëtar që të mos e mirëpresë rezultatin e gjyqit saudit. "Pranimi ndërkombëtar i verdiktit saudit jo vetëm që do të ishte i gabuar moralisht por edhe i rrezikshëm: Do t'i dërgonte sundimtarit gjakatar saudit mesazhin se aventurizmi i tij vrastar do të tolerohet," tha bordi redaktues i Uashington Post. Disa ligjvënës amerikanë kanë kritikuar jo vetëm Arabinë Saudite për vendimin, por edhe Presidentin e SHBA Donald Trump, i cili e ka mbrojtur bin Salmanin nga fajësimi për vrasjen e Khashoggi dhe në vend të drejtësisë, e ka vënë theksin mbi marrëveshjet fitimprurëse të armëve me Riadin.