Merkel viziton Turqinë
Kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel në janar të vitit të ardhshëm do të vizitojë Turqinë për të diskutuar me presidentin Rexhep Tajip Erdogan për marrëveshjen e emigrantëve mes Turqisë dhe BE-së.
Shqetësimet mbi një valë të re emigrantësh në Evropë, është arsye kryesore e vizitës së kancelares së Gjermanisë në Turqi. Gjatë qëndrimit në Turqi, kancelarja MErkel do të njihet me gjendjen dhe kushtet e emigrantëve në Turqi, strehimin dhe kujdesin ndaj tyre, për të cilën Turqia ka rënë dakord me BE-në. Turqia nga ana e saj ka thënë se nuk do të jetë në gjendje të mbajë e vetme një fluks tjetër refugjatësh. “Ne kemi informacione për një fluks tjetër të refugjatëve nga atje (krahina veri-perëndimore e Idlibit të Sirisë). Nga tani e tutje, Turqia nuk mund të mbajë e vetme këtë fluks refugjatësh”, tha një prej funksionarëve t Turqisë. Në muajin shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan të kthejnë Idlibin në një zonë sigurie në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara. Që atëherë armëpushimi vazhdon të shkelet. Nëse dhuna vazhdon, Turqia dhe Evropa do të përballen me rrezikun e një fluksi tjetër refugjatësh. Pas sulmeve intensive, mbi një milionë sirianë janë zhvendosur afër kufirit turk. Që nga shpërthimi i luftës së përgjakshme në vitin 2011 në Siri, Turqia ka pranuar mbi 3.6 milionë sirianë që u larguan nga vendi i tyre, shifër e cila e bën Turqinë vend që strehon më shumë refugjatë në botë. Sipas shifrave zyrtare, Ankaraja deri më tani ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për refugjatët.