Rusia tejkalon Amerikën në garën e armatimit?
Rusia ka futur në shërbim raketat e saj të para hipersonike "Avangard", të afta të mbajnë mbushje bërthamore, duke shënuar një përmirësim të rëndësishëm të aftësive të saj luftarake, në një garë të armatimeve me Shtetet e Bashkuara.
"Regjimenti i parë i raketave i pajisur me raketa të fundit strategjike hipersonike Avangard hyri në shërbim në orën 10 të mëngjesit me kohën e Moskës më 27 dhjetor," njoftoi Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu në një fjalim televiziv të Premten. Shoigu e përshkroi zhvillimin si një "ngjarje historike për vendin dhe forcat e armatosura ruse". AFP citoi zyrtarët rusë të mbrojtjes të thoshin se regjimenti i parë raketave Avangard ishte i vendosur në rajonin Orenburg, në jug të Uraleve, në një zonë afër Kazakistanit. Zyrtarët rusë kanë thënë se Avangard është një raketë shumë e manovrueshme që, gjatë testimit, arriti shpejtësi deri në 27 herë më të lartë se shpejtësia e zërit - afërsisht e barabartë me një rekord mahnitës 33,000 kilometra në orë. Duke folur në fillim të kësaj jave, Vladimir Putin tha se Rusia ishte vendi i vetëm që kishte zhvilluar armë hipersonike. "Asnjë vend i vetëm nuk ka armë hipersonike, e lëre më armë hipersonike interkontinentale," tha Putin. Ai shtoi se ky zhvillimi e kishte vendosur Rusinë përpara Amerikës përsa i përket përparimeve të armëve.