Aeroplanmbajtësja kineze frikëson Tajvanin
Kina ka dërguar aeroplanmbajtësen e saj të parë në ngushticën e Tajvanit, në një veprim të cilin Taipei e përshkroi si një taktikë "frikësimi" përpara zgjedhjeve presidenciale në këtë ishull rebel.
Ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha në një deklaratë se Pekini kishte dërguar aeroplanmbajtësen e tij të re, Shandong, në ngushticën e Tajvanit, e shoqëruar nga disa fregata të Marinës Kineze. Zyra presidenciale e Tajvanit gjithashtu reagoi ndaj manovrës, duke thënë se "Pekini duhet të përkrahë paqen dhe stabilitetin në të gjithë ngushticën dhe rajonin, çka nuk është e lehtë për tu arritur". Kina e konsideron ishullin e vetëqeverisur si një provincë e largët kineze nën politikën e njohur globalisht "Një Kinë e Vetme". Ajo ka ndjekur politikën e ribashkimit të Tajvanit qysh kur ishulli u shkëput nga territori kinez gjatë një lufte civile në vitin 1949. Presidenti kinez Xi Jinping ka paralajmëruar më parë se Pekini rezervon të drejtën e përdorimit të forcës për ta sjellë Tajvanin nën kontrollin e tij, por do të përpiqet të arrijë "ribashkimin paqësor".