Makron nuk tërhiqet përballë kërkesave të protestuesve
Presidenti i Francës me gjithë protestat dhe grevat që kanë paralizuar këtë vend, deklaroi se është i angazhuar për të zbatuar planin e reformës në sistemin e pensioneve.
Në mesazhin e tij me rastin e Vitit të Ri, presidenti i Francës Emanuel Macron deklaroi se reforma në sistemin e pensioneve në Francë do të realizohet dhe shpresoi që qeveria e tij sa më shpejt të bie dakord me sindikatat për këtë çështje. Protestës kundër reformës në pensione u janë bashkuar edhe jelek-verdhët. Lëvizja protestuese anti-qeveritare "Jelek Verdhët" në ditën e 24-të të protestave dhe grevave në Francë kundër reformave në sistemin e pensionistëve, me ftesë të shumë sindikatave në disa qytete të Francës, i është bashkuar këtyre tubimeve protestuese dhe grevave të gjera. Greva e transportit në Francë ka hyrë tashmë në ditën e 24-të të saj dhe vazhdon të sjellë imazhe kaotike nga stacionet e trenave në Paris edhe këtë fundjavë, ndërsa sindikatat mbeten të vendosura të vazhdojnë aksionin e tyre kundër reformës së pensioneve të kërkuar nga qeveria franceze. Një nga gjashtë trena të shpejtësisë së lartë, ishin në funksion të shtunën. Sindikalistët duket se nuk kanë ndër mend të tërhiqen, e pasi minuan planet e mijëra francezëve për Krishtlindje, po kërcënojnë edhe ato për vitin e ri. E hyrë tashmë në ditën e 24-të të saj, greva është më e gjatë edhe se ajo e famshmja 22 ditore, e dimrit 1995, kundër reduktimit të fondeve për mirëqenien sociale, kur në pushtet ishte Zhak Shirak. Atëherë, qeveria franceze u detyrua të tërhiqej nga planet. Ndërkohë, greva më e gjatë në Francë ka zgjatur për 28 ditë, përfshirë Krishtlindjet, në vitet 1986-1987. Por, edhe një tjetër lëvizje, ajo e “Jelekëve të Verdhë”, nuk po ndalet. Këta të fundit, ndonëse më të reduktuar në numra se më parë, u mblodhën në Place de la Bourse në Paris, për javën e 59 të protestave, duke iu bashkuar punonjësve të hekurudhave dhe grevistëve të tjerë.