Turqia drejt aventurës së rrezikshme në Libi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i93645-turqia_drejt_aventurës_së_rrezikshme_në_libi
Ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar mohoi se kishte pasur fërkime midis Ankarasë dhe Moskës mbi Libinë kur Turqia u përpoq të dërgonte trupa në Tripoli.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 01, 2020 17:18 Europe/Tirane
  • Turqia drejt aventurës së rrezikshme në Libi

Ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar mohoi se kishte pasur fërkime midis Ankarasë dhe Moskës mbi Libinë kur Turqia u përpoq të dërgonte trupa në Tripoli.

"Jo, Turqia dhe Rusia kanë linja shumë të mira të dialogut," i tha ai të mërkurën kanalit televiziv turk NTV në përgjigje të pyetjes nëse kishte apo jo një mosmarrëveshje midis dy vendeve. Ai tha se bisedime ruso-turke ishin zhvilluar midis krerëve të shteteve dhe zyrtarëve të mbrojtjes. Turqia synon të zgjidhë çdo mosmarrëveshje me Rusinë përmes negociatave, shtoi Akar. Parlamenti turk do të votojë në 2 janar 2020 mbi një projekt-ligj për dërgimin e trupave në Libi në mbështetje të Qeverisë Libiane të Bashkimit Kombëtar, të kryeministrit Fayez al-Sarraj, me qendër në Tripoli. Nëse Parlamenti turk e miraton këtë tekst, Ankaraja do të angazhohet zyrtarisht në luftën në Libi edhe pse ajo tashmë është e përfshirë duke dërguar armë dhe dronë për qeverinë e Tripolit. Ankaraja, duke dërguar trupa në Libi, shpall luftë kundër Rusisë, Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat mbështesin forcat e gjeneralit Haftar, i cili synon të rrëzojë me forcë qeverinë e Tripolit. Sipas disa ekspertëve, pas humbjes së tij në sulmin e prillit 2019 kundër Tripolit, ku bazohet Qeveria e Bashkimit Kombëtar të al-Sarraj, gjenerali Haftar aktualisht mund të bëjë përparime falë qindra mercenarëve rusë dhe armëve të sofistikuara të dërguara nga Rusia. Rusia ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka vendosur asnjë forcë në Libi, por i dërguari i OKB për Libinë, Ghsan Salamé, ka shprehur shqetësimin për ndërkombëtarizimin e kësaj lufte duke bërë referencë për praninë e forcave ruse. "Një luftë e ngjashme me atë të Sirisë mund të shpërthejë në Libi," paralajmëroi Ghsan Salamé në një intervistë me AFP. "Nuk do të ketë udhëheqje perëndimore në Libi. Rusia dhe Turqia do të nënshkruajnë një marrëveshje të re të Jaltës në Libi", tha ai."Informacioni i postuar në rrjetet sociale tregon se milicitë aleate me Turqinë kanë hyrë në Tripoli", thonë analistët edhe pse qeveria e Tripolit e mohon atë. "Ne jemi dëshmitarë të një spektakli të ndërlikuar dhe shumë kontradiktor, të ngjashëm me atë që ndodhi në Siri, e cila luhet midis Turqisë dhe Rusisë, të cilët nuk janë të bashkuar nga lidhjet miqësore dhe që nuk janë as aleatë të njëri-tjetrit, por interesat e tyre mund të mbivendosen," tha Jalel Harshaoui, studiues në Clingendael, një grup i pavarur studimor me qendër në Hollandë. Asnjëherë nuk ka pasur një konfrontim të drejtpërdrejtë midis Turqisë dhe Rusisë në tokën siriane, kështu që nuk do të ketë konfrontim të qëllimshëm dhe të fortë midis tyre as në tokën libiane. Me praninë e aktorëve të huaj kundërshtarë (Rusia dhe Turqia) në Libi, mund të ketë një pakënaqësi të thellë mes banorëve, gjë që nuk është aspak e mirë", tha al-Harshaoui. Ndërhyrja e Rusisë dhe Turqisë, të cilët janë në kampe kundërshtare, do të çojë në dështimin e evropianëve, dhe veçanërisht të Francës, në një luftë që do të çojë në shfaqjen e terrorizmit dhe fluksin e emigrantëve.