Nis procesi i hetimit të Trump në Senat
Me 228 vota pro dhe 193 kundër, ligjvënësit demokratë i kanë transmetuar Senatit amerikan akuzat formale për shkarkimin e presidentit Trump. Argumentet për dhe kundër parashtrohen të martën para senatorëve në një proces që zhvillohet për herë të tretë në historinë e Amerikës.
Ligjvënësit në dhomën e ulët të Kongresit amerikan votuan të mërkurën t'i përcjellin Senatit akuzat për shkarkimin e presidentit Donald Trump. Nisma u miratua me votat e opozitës dhe i hap rrugën gjykimit të Kreut të Shtetit nga dita e martë. Trump akuzohet për abuzim me pushtetin pasi i kërkoi Ukrainës të hetonte rivalin politik, Joe Biden, si edhe për pengim të procedurave hetimore të Kongresit. "Presidenti Trump vuri interesat personale para atyre kombëtarë, para sigurisë kombëtare dhe po nuk e ndalëm, do veprojë njësoj. Për këtë arsye po procedohet për t'u shkarkuar, dhe për këtë arsye mjeti i vetëm juridik është dënimi dhe largimi i presidentit Donald Trump nga posti," deklaroi kreu i komisionit të Inteligjencës, Adam Shif. Shtatë persona të zgjedhur nga opozita do e parashtrojnë çështjen penale në Senat. "Ta keni të qartë se presidenti do të mbajë përgjegjësi, askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë president nuk duhet t'i shkojë në mendje ta keqpërdorë nenin 1 të kushtetutës për të bërë çfarë të dojë," deklaroi kryedemokratja Nancy Pelosi. Vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë reagoi në Twitter, duke e konsideruar objektin e hetimeve kundër tij një tjetër marifet të demokratëve. Presidenti Trump është presidenti i tretë në historinë e Amerikës që i nënshtrohet procedimit penal ende në detyrë. Senati ka njoftuar se argumentet pro dhe kundër procesit do i paraqiten senatorëve javën e ardhshme. “Trump e dinte shumë mirë se çfarë po bënte me Ukrainën”; dëshmia e fortë kundër presidentit amerikan vjen nga ndihmësi i avokatit të tij, Rudi Xhuliani. Lev Parnas deklaroi se shefi i Shtëpisë së Bardhë “e ka ditur saktësisht se si po zhvillohen përpjekjet” për t’i bërë presion Kievit që të hetonte mbi rivalin e tij politik, Joe Biden. Parnas tha për mediat se ai ka shkuar vetë në Ukrainë për t’iu bërë presion zyrtarëve të atjeshëm, në emër të Trumpit dhe Xhulianit. Synimi, siç dyshohet, ka qenë të dëmtohet Bideni, i cili mund ta sfidojë Trumpin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Vetë presidenti amerikan mohon çdo përfshirje e tha se nuk e njeh fare Parnasin, një biznesmen amerikano-ukrainas dhe donator i Partisë Republikane. Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ngriti në muajin dhjetor dy akuza formale kundër Trumpit: për shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë. Çështja këtë javë i kaloi senatit, aty ku do të thuhet fjala e fundit për shkarkimin e kreut të shtetit. Por gjasat që senati i kontrolluar nga republikanët të votojë kundër Donald Trumpit, janë shumë të pakta. Presidenti vazhdon të këmbëngulë se nuk ka bërë asnjë shkelje dhe se hetimet kundër tij janë thjesht një “gjueti shtrigash”.