Shqetësime mbi përhapjen e virusit të ri
https://parstoday.ir/sq/news/world-i94172-shqetësime_mbi_përhapjen_e_virusit_të_ri
Ekspertët e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë dhe të Higjienës të Kinës bënë të ditur në një konferencë shtypi se përhapja e epidemisë së penumonisë së shkaktuar nga një lloj i ri koronavirusi është nën kontroll dhe është e parandalueshme.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 21, 2020 05:12 Europe/Tirane
  • Shqetësime mbi përhapjen e virusit të ri

Ekspertët e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë dhe të Higjienës të Kinës bënë të ditur në një konferencë shtypi se përhapja e epidemisë së penumonisë së shkaktuar nga një lloj i ri koronavirusi është nën kontroll dhe është e parandalueshme.

Mirëpo, meqë ende nuk është gjendur burimi i virusit dhe nuk dihet plotësisht mënyra e përhapjes së tij, duhet të ruhet vigjilenca për të përballuar mundësinë e ndryshimit të virusit. Sipas Komisionit, fill pasi ndodhën rastet e pneumonisë së koronavirusit në Wuhan të Kinës Qendrore, grupet e punës dhe të ekspertëve u dërguan në vendngjarje për të bërë testimin laboratorik të mostrave të marra. Më 1 janar, u konfirmua se një lloj i ri koronavirusi është arsyeja e epidemisë së tanishme. Në të njëjtën kohë, mënyrat e mjekimit, parandalimit dhe kontrollit të epidemisë u njoftuan në të gjitha krahinat e vendit dhe është shpërndarë një kontingjent i madh pajisjesh për testimin e virusit, duke u krijuar edhe sistemi i raportimit ditor. Përveç kësaj, autoritetet kineze kanë forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin ndërkombëtar të informacionit me OBSh-në e vende të ndryshme të botës dhe i kanë bërë menjëherë të ditur OBSh-së renditjen gjenetike të koronavirusit. Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë dhe i Higjienës do të forcojë më tej parandalimin e përhapjes së epidemisë dhe mjekimin e të prekurve. Ekspertët do të shpejtojnë gjurmimin fillestar të virusit dhe do të bëjnë përgatitje për të përballuar situatat e mundshme. Siç mësohet, deri më 19 janar, në qytetin Wuhan, vend ku u raportua rasti i parë i epidemisë, janë konfirmuar 198 të sëmurë, 25 prej të cilëve janë shëruar, tre kanë vdekur, ndërsa 170 të tjerë po shtrohen në spital.