Sulmi ajror amerikan vret 10 civilë afganë
Së paku 10 civilë afganë janë vrarë, nga një sulm ajror amerikan në fillim të këtij muaji, në provincën Herat të Afganistanit.
Kështu deklaroi në kushte anonimiteti një zyrtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Afganistan. Sipas tij, në mesin e civilëve të vrarë, ishin tri gra dhe tre fëmijë. Pesë civilë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, u plagosën gjatë sulmit, tha zyrtari. Ndërsa një zyrtar rajonal, Wakil Ahmad Karokhi, tha se gjatë sulmit gjithashtu janë vrarë 16 militantë, që i përkisnin një grupi të ndarë prej talebanëve, përfshirë komandantin e tij, të njohur si Mullah Nangyalia. Karokhi tha se sulmi ishte një "gabim i madh" sepse grupi i Mullah Nangyalia kishte qenë i dobishëm kundër talebanëve, pasi ata kanë luftuar kundër kryengritësve "kur askush tjetër nuk do ta bënte atë".