Amerika e shqetësuar nga armët e Koresë Veriore
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha se Koreja e Veriut po ndërton një raketë balistike atomike me rreze të gjatë veprimi.
Pretendimi i tij erdhi si përgjigje e një pyetje në lidhje me vlerësimet e SHBA-së mbi kërcënimin që Pyongyang-u mund të paraqiste duke zbuluar një armë të re strategjike që Kim Jong-un e premtoi në vitin 2019 si dhuratë e Krishtlindjes. "Të paktën mund të them që ata kanë një program ofensiv kërkimi dhe zhvillimi. Ne e dimë se çfarë bëjnë ata. Në ballë të këtyre përpjekjeve, ata (Koreja e Veriut) po përpiqen të ndërtojnë një raketë balistike me rreze të gjatë veprimi dhe me aftësi bërthamore. Kjo është ajo që ne po e shikojmë me kujdes", shtoi Esper. Pyongyang-u e kreu testin e fundit të raketave balistike ndërkontinentale në vitin 2017 para negociatave për denuklearizimin. Pas dështimit të negociatave midis Uashingtonit dhe Pyongyang për denuklearizimin e gadishullit Korean në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike, Koreja e Veriut kohët e fundit kërcënoi të rifillojë aktivitetet bërthamore dhe balistike në mungesë të një propozimi të drejtë nga ana e Shteteve të Bashkuara. Esper iu përgjigj këtij kërcënimi duke i bërë thirrje Pyongyang-ut të ulet në tryezën e bisedimeve. "Ne besojmë se zgjidhja më e mirë është një marrëveshje politike dhe një iniciativë diplomatike," shtoi shefi i Pentagonit.