Mburojë e përbashkët bërthamore franko-gjermane?
Duke folur në prag të një takimi të rëndësishëm, kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut bëri thirrje për bisedime të Gjermanisë me Francën për të formuar një mburojë të përbashkët bërthamore, duke theksuar se Evropa nuk mund të llogarisë më në mbështetjen e Amerikës.
"Fatkeqësisht krahasuar me vitin e kaluar, situata politike dhe e sigurisë këtë vit nuk është përmirësuar. Bota është në rrezik. Kështu që ne nuk mund të jemi optimistë", paralajmëroi Wolfgang Eisinger, kreu i konferencës së sigurisë në Mynih. Ai gjithashtu foli për rolin e dobësuar të Perëndimit në skenën ndërkombëtare, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga zonat kritike, se Evropa nuk është në gjendje të veprojë dhe se ky boshllëk po plotësohet nga Rusia dhe fuqitë rajonale si Irani dhe Turqia. Në një pjesë tjetër të deklaratave të tij, Eisinger ju referua veprimeve të pakoordinuara të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë në NATO duke legjitimuar deklaratat e presidentit francez se Aleanca Atlantike ndodhet në një gjendje "të vdekjes klinike". Ai gjithashtu bëri thirrje për negociata me Francën për të krijuar një mburojë të përbashkët bërthamore, duke pasur parasysh pozicionin e Trump dhe faktin që Evropa nuk mund të llogarisë më në mbështetjen e Amerikës.