Edhe në Evropë shënohet viktima e parë nga virusi Korona
Është konfirmuar dhe viktima e parë në Evropë si pasojë e koronavirusit.
Bëhet fjalë për një 80 vjeçare kineze në Francë e cila ishte nga provinca e Hubei pranë Wuhan.
Këtë e bën të ditur ministrja e jashtme franceze Agnès Buzyn. Gjithashtu ajo informon se edhe vajza e 80 vjeçares është e prekura nga koronavirusi por tashmë është duke marrë mjekim.
Ajo mbërriti në Francë në 16 janar dhe u vendos në karantinë në datën 25 janar.
Kjo është viktima e katërt e regjistruar jashtë Kinës si pasojë e virusit. 3 të tjerët janë regjistruar në Hong Kong, Filipine dhe në Japoni.
Ka shkuar në 1523 numri i personave të vdekur nga koronavirusi në Kinë. Autoritetet e kryeqytetit kinez, Pekin, kanë urdhëruar që të gjithë njerëzit që kthehen në qytet nga pushimet të futen në karantinë për 14 ditë në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e mëtejme të koronavirusit.
Të shtunën, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e kaluara janë konfirmuar 2641 raste të reja të infektimeve, duke e çuar në 66 mijë e 492 numrin e përgjithshëm. Për më tepër, 143 persona vdiqën gjatë kësaj periudhe.
Gazeta shtetërore “Beijing Daily” shkroi se personat që nuk e respektojnë vendimin e autoriteteve të Pekinit për karantinë do të ndëshkohen. Megjithatë, nuk është e qartë se si do të zbatohen këto ndëshkime dhe a do të vlejnë edhe për shtetasit e huaj.