Masat drastike të BE-s kundër pandemisë
Kryetarja e Komisionit të Evropës ka paralajmëruar për pasojat ekonomike të kontrollit kufitar mes vendeve evropiane dhe për dobësimin e traktatit të Shengenit.
Ursula von der Leyen, kryetarja e Komisionit të Evropës, duke folur për pasojat ekonomike të përhapjes së virusit Korona, ka thënë: “Ne për të luftuar kundër virusit Korona, duhet ta kufizojmë jetën publike deri në një masë të mundshme, mirëpo kjo çështjeje natyrisht krijon dëme të gjera për ekonominë tonë”. Ursula von der Leyen shtoi: “Aktualisht në mënyrë të përbashkët dhe kolektive, për ta ndaluar përhapjen e virusit Korona, mbështesim mbylljen e kufijve të jashtme të Bashkimit Evropian në mënyrë që njerëzit që ndoshta janë të infektuar me virusin Korona të mos hyjnë në Bashkimin Evropian, mirëpo çështja e shkëmbimit të mallrave brenda BE-së, duhet të vazhdojë”. Kryetarja e Komisionit Evropian ka njoftuar për shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve të Evropës për të vazhduar aktivitetin e ekonomisë dhe njëkohësisht për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Bashkimi Evropian nuk mund të shërohet kurrë nëse unioni lë Italinë të vetme gjatë pandemisë së koronavirusit. Këtë deklaratë e dha Ministri Francez i Financave, Bruno Le Maire, duke thënë se vendet anëtare duhet të bashkohen. "Nëse janë të gjithë për veten e tyre, nëse i lëmë disa shtete, nëse i themi Italisë, për shembull, 'bëjeni vetëm atë", Evropa nuk do të rikuperohet," tha ai për TV Francez. Banka Qendrore Evropiane ka caktuar fonde për të mbështetur ekonominë, por BE nuk ka harmonizuar masa praktike për të ndaluar përhapjen e virusit. Pas një përhapjeje me shpejtësi të COVID-19 në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Komisioni po bën përpjekje për një përgjigje të unifikuar dhe koordinuar për përballimin e pasojave ekonomike që do të ketë kjo gjendje në ekonominë e BE-së. Në datën 13.03.2020, Komisioni Evropian shpalli masat që do të ndërmerren në mënyrë të koordinuar nga shtetet anëtare për të luftuar pasojat ekonomike të koronavirusit. Komisioni inkurajonte shtetet anëtare për të marra masa të shpejta dhe efektive për të mbështetur qytetarët dhe kompanitë, të cilat po hasnin vështirësi gjatë kohës së shpërthimit të virusit. Ndër masat e marra mund të ishin subvencionimi i pagave, pezullimi i pagesës së tatimit mbi fitimin, tatimit mbi vlerën e shtuar, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Po ashtu, shtetet anëtare mund të ofrojnë mbështetje financiare për shërbimet dhe biletat e anuluara për shkak të COVID-19. Shtetet mund të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për kompanitë që kanë probleme me likuiditetin apo të tjera që janë në prag falimentimi. Bazuar në nenin 107(2)(b) të Traktatit Themelues të BE-së shtetet mund të kompensojnë kompanitë për dëmet e shkaktuara nga dukuri të jashtëzakonshme, përfshirë masat në sektorët e aviacionit apo turizmit. Duke pasur parasysh situatën e Italisë, Komisioni Evropian vendosi të aplikojë nenin 107(3)(b) që aplikohet vetëm në rastet kur një shtet po kalon probleme të rënda ekonomike. Komisioni Evropian shprehu gatishmërinë për të ndihmuar shtetet anëtare në rast të aplikimit të politikave fiskale që synojnë lehtësimin e kompanive dhe punonjësve. Për mbrojtjen e punonjësve nga humbja e punës dhe të ardhurave, Komisioni do të mbështesë Shtetet Anëtare me skema punësimi afatshkurta, programe trajnimi dhe riaftësimi që janë provuar efikase në të kaluarën. Përveç përpjekjeve për marrjen e masave në mënyrë të unifikuar nga vendet anëtare të BE-së, kryesisht me karakter ekonomik, secili prej shteteve po bën përpjekjet e saj në nivel kombëtar për përballimin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me sa më pak pasoja të gjendjes. Duke filluar nga shteti më i prekur në Evropë. Italia ka aprovuar tashmë një fond prej 25 miliardë Euro që synon t’u vijë në ndihmë punonjësve që kanë ndërprerë përkohësisht punën, krijimin e një fondi garanci për dhënie huaje për kompanitë e vogla dhe të mesme, kompensim për firmat xhiroja e të cilave ka rënë nën 25%, ndihma për qiramarrësit. Franca ka deklaruar një mobilizim total duke u ofruar rimbursim për sipërmarrjet shtetërore dhe private, rimbursimi i punonjësve dhe profesionistëve të lirë, ndihmë për të papunët dhe familjet në nevojë dhe pagesë për prindin që duhet të kujdeset për fëmijët që nuk janë në shkollë. Qeveria gjermane ka akorduar një fond prej 500 miliardë Euro ose 6 025 Euro/frymë dhe është ofruar e gatshme që të mbulojë çdo nevojë që mund të paraqitet për qytetarët dhe bizneset. Spanja ka akorduar 3.8 miliardë Euro ndihma në nivel qendror dhe rajonal për përballimin e krizës, ndërkohë është premtuar mbështetje financiare për kompanitë që veprojnë në fushën e turizmit, të cilat kanë pësuar humbje. Austria ka akorduar 4 miliardë Euro për biznesin, tregun e punës, punonjësit, rendin publik, të ardhurat etj.