Turqia shton masat e ndalimit qarkullimit
Turqia sot njoftoi disa masa të reja të rrepta për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), pandemisë që ka vrarë mijëra njerëz në gjithë botën, raporton Anadolu Agency (AA).
Recep Tayyip Erdoğan, presidenti i vendit, njoftoi një orë policore që kufizon personat nën moshën 20 vjeç që të largohen nga shtëpitë e tyre, përveç në raste nevojash të domosdoshme. Ai gjithashtu njoftoi një ndalim 15-ditor për daljen dhe hyrjen e automjeteve në 31 provinca, përfshirë Stambollin, si dhe qendrat urbane të kryeqytetit Ankara, Izmirit, Bursës dhe Adanasë. Mbajtja e maskave të fytyrës në zona të frekuentuara me njerëz, përfshirë dyqanet, është gjithashtu e detyrueshme, tha presidenti turk. Turqia konfirmoi 69 viktima të reja nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) gjatë 24 orëve të kaluara, me çka numri i përgjithshëm i të vdekurve në vend ka shkuar në 425. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 u rrit në 20.921, pasi 2.786 persona kanë rezultuar pozitivë në testet për virusin brenda një dite, njoftoi ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca në një konferencë për shtyp.