Reagimet ndaj vendimit të Trump kundër OBSH-së
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të martën e 14 prillit se do bllokojë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit dhe do të bëhet një rishqyrtim për to.
Trump tha në një konferencë shtypi se shqyrtimi do të përfshijë rolin e OBSH-së në keqmenaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19. "Kombet dhe rajonet e tjera që ndoqën udhëzimet e OBSH dhe i mbanin kufijtë e tyre të hapur me Kinën, përshpejtuan pandeminë në të gjithë botën", tha Trump. Trump vazhdoi: "Vendimi i vendeve të tjera të mëdha për të mbajtur të hapur udhëtimet ishte një nga tragjeditë e mëdha dhe mundësitë e humbura që nga ditët e para". Ndërkohë lidhur me këtë çështje ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i cili kritikoi presidentin Trump dhe tha se nuk është koha për t'i ndalur fondet OBSH-së. "Tani është koha për unitet dhe bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku në solidaritet për të ndaluar këtë virus dhe pasojat e tij shkatërruese," tha Sekretari i Përgjithshëm i KB António Guterres. Guterres megjithatë theksoi se OBSH ishte në vijat e para, duke mbështetur shtetet anëtare dhe shoqëritë e tyre, veçanërisht më të prekurit midis tyre, me udhëzime, trajnime, pajisje dhe shërbime konkrete për shpëtimin e jetës. "Unë mendoj se Organizata Botërore e Shëndetit duhet të mbështetet, pasi është absolutisht e rëndësishme për përpjekjet e botës për të fituar luftën kundër Covid-19'', shtoi Sekretari i OKB-së. Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus shprehu keqardhjen që Trump vendosi të ndërpresë fondet. "SHBA ka qenë gjithmonë një aleat dhe një mik shumë gjeneroz i OBSH-së, ndaj dhe unë dua që të mbetet kështu. Ne do të vijojmë të punojmë fort për të luftuar pandeminë e COVID-19" - shprehet ai. Ndërkaq edhe një prej njerëzve më të pasur në glob, Bill Gates e kritikoi vendimin e Trump. Në një postim në Twitter ai shkruan se është një lëvizje shumë e rrezikshme nga amerika në këtë kohë krize botërore. Diplomati më i lartë i BE Josep Borrell shprehu keqardhjen për vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të bllokuar fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit. Përfaqësuesi i Lartë i bllokut për Punët e Jashtme, tha: "Nuk ka asnjë arsye që të justifikojë këtë veprim në një moment kur përpjekjet e tyre janë më të nevojshme se kurrë për të ndihmuar në kontrollin dhe zbutjen e pandemisë së koronavirusit. Vetëm duke bashkuar forcat ne mund ta kapërcejmë këtë krizë që nuk njeh kufij." Edhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka kritikuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për ndërprerjen e fondeve që sigurojnë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe ka theksuar se forcimi i OBSH-së është investimi më i mirë në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19). Në një deklaratë për agjencisë gjermane të lajmeve (DPA), ministri Maas theksoi se virusi nuk ka kufij dhe se akuzat e ndërsjella nuk janë të dobishme. Në arenën ndërkombëtare është e nevojshme të luftohet së bashku kundër COVID-19 theksoi Maas duke shtuar se “Për zhvillimin dhe shpërndarjen e testeve dhe vaksinave, një nga investimet më të mira në luftën kundër pandemisë është forcimi i Kombeve të Bashkuara kryesisht i OBSH-së e cila ka financime të pa mjaftueshme”. "Ne e shohim njoftimin e djeshëm nga Uashingtoni për ngrirjen e fondeve të OBSH si tepër shqetësuese," tha Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS. "Është një shenjë e qasjes shumë egoiste të autoriteteve amerikane ndaj asaj që po ndodh në botë për shkak të pandemisë.Një goditje e tillë për këtë organizatë kur bashkësia ndërkombëtare po shikon drejt saj për ndihmë... është një hap i dënueshëm", tha Ryabkov. Diplomati rus gjithashtu i bëri thirrje Uashingtonit që "të pushojë sulmet e mëtejshme ndaj OBSH dhe të marrë një drejtim të përgjegjshëm". Ndërkohë, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abas Musavi tha të mërkurën se vendimi i SHBA për të ndëshkuar koordinatorin e vetëm botëror për çështjet e shëndetit në mesin e luftës kundër një katastrofe globale është kulmi i papërgjegjësisë dhe krim kundër njerëzimit.