Dentisti i maskuar si polic vret 17 persona në Kanada
Autoritetet e policisë kanë deklaruar se numri i viktimave të sulmit të një dentisti në Kanada ka shkuar në 17 persona.
17 persona mbetën të vrarë në fundjavë nga një sulm i armatosur në lindje të Kanadasë, nga më të rënda në historinë e vendit. Autori, një 51-vjeçar, gjithashtu u ekzekutua nga policia.
Masakra që zgjati për 12 orë në provincën juglindore të Nova-Skotias përfundoi në orët e pasdites me ekzekutimin e autorit.
Një oficere policie gjithashtu humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit ndërsa autoritetet paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet.
"Natën e së shtunës morëm telefonata për të shtëna me armë në një rezidencë në qytezën e Kolçestërit. Kur policia mbërriti në vendngjarje, u gjetën disa të vrarë brenda dhe jashtë banesës por jo autori," njoftoi komisari i policisë rajonale.
Autori i ngjarjes, 51-vjeçari, Gabriel Uortman, me profesion stomatolog, mësohet se mbante uniformë dhe qarkullonte me një makinë të veshur me shenja policie.
Gjatë interceptimit të tij, autoritetet pikasën se një numër banesash ku autori kishte përshkuar gjatë itinerarit të tij po ashtu u ishte vënë zjarri.
Rreth orës 11:40 të së dielës me kohën lokale, 51-vjeçari u përball me forca të shumta policie në një pikë karburanti, por nuk është qartësuar ende nëse ai u qëllua për vdekje apo u vetëvra.
"Ndaj dhembjen me këdo që është prekur nga kjo situatë e tmerrshme. Falënderoj policinë për punën e vështirë dhe qytetarët për bashkëpunimin me autoritetet," deklaroi kryeministri kanadez, Xhastin Trudo.
Masakra e fundjavës konsiderohet nga më të rëndat në historinë e vendit në këto 30 vite.