Pompeo sulmon Kinën
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo akuzoi Kinën se është përgjegjëse për pandeminë e COVID-19, që paralizoi botën dhe shkaktoi me qindra-mijëra të vdekur.
Në një intervistë për Abcnews.go.co, ai shtoi se shteti i madh aziatik bëri gjithçka mundej që ta mbante botën në errësirë lidhur me koronavirusin. Pompeo nuk dëshiroi që të specifikonte, nëse dalja e virusit ishte pa dashje apo me qëllim. Kjo është akuza e fundit e Uashingtonit në drejtim të Kinës. Pikërisht për shkak të këtyre akuzave, SHBA i ndërpreu fondet OBSH-së, pasi e cilëson si bashkëpunëtore të Kinës. “Ka një dëshmi të shumta që aty ka nisur. Ne e kemi thënë nga fillimi që ky ishte një virus me origjinë në Wuhan, të Kinës. Ndaj nesh pati mëri. Por mendoj se e gjithë bota mund ta shikojë këtë tani". Pekini i ka hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve amerikanë. Ndërkohë, një amerikan ka humbur jetën çdo 44 sekonda në muajin prill për shkak të koronavirusit. Shifrat e frikshme raportohen nga CNN. Më shumë se 1,1 milionë persona janë infektuar me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, ndërsa bilanci i viktimave i tejkalon 66 000. Testet e kryera janë 6,8 milionë në një popullsi prej 330 milionë personash. Shteti më i goditur mbetet Nju Jorku, që regjistron çerekun e të prekurve dhe viktimave.