Situata e koronavirusit në Angli
https://parstoday.ir/sq/news/world-i96785-situata_e_koronavirusit_në_angli
Bilanci i viktimave nga COVID-19 duket se ka pësuar rritje gjatë ditës së sotme.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
May 06, 2020 03:36 Europe/Tirane
  • Situata e koronavirusit në Angli

Bilanci i viktimave nga COVID-19 duket se ka pësuar rritje gjatë ditës së sotme.

 Në ndryshim nga dje ku u regjistruan 288 viktima, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 436.  Gjithsej në të gjithë Britaninë numërohen 29,079 të vdekur si pasojë e COVID-19.  Respektivisht në Angli u shënuan 366 viktima, në Uells 26, në Irlandën e Veriut 17 dhe në Skoci 27 viktima.  Që prej fillimit të pandemisë ka pasur probleme për sa i përket regjistrimit të tyre, ndaj shpeshherë edhe shifrat e publikuara nuk kanë qenë plotësisht të sakta.  Ndërsa numri total i të infektuarve në Britani është rreth 200 mijë persona ndërkohë që rreth 1,500 janë në gjendje të rëndë shëndetësore.  Ditën e sotme në një raport të publikuar, shkruhej se Britania ka arritur rreth 32 mijë viktima duke lënë pas kështu dhe Italinë e Spanjën si vendi më i prekur.  Shifrat e fundit e radhitin Britaninë në vendin e dytë në botë pas SHBA-së për nga jetët e humbura prej pandemisë, duke kaluar Italinë që raporton gati 29 mijë viktima dhe Spanjën me mbi 25 mijë të vdekur që prej përhapjes së koronavirusit nëpër botë.  Bilanci i fundit i vdekjeve pritet të rritë presionin politik ndaj kryeministrit Boris Xhonson.  Në fillimin e pandemisë shefi i qeverisë ndoqi një qasje më optimiste sesa vendet e tjera, duke u vënë nën akuzën e opozitës se po vononte marrjen e masave të izolimit edhe në kohën kur dihej situata e vështirë në spitalet italiane.  Qeveria gjithashtu akuzohet për testim të ngadaltë të popullatës dhe për mangësi në pajisjen e stafit spitalor me aparaturat dhe mjetet mbrojtëse.