Trump kërcënon rrjetet sociale
(last modified Wed, 27 May 2020 20:00:11 GMT )
May 27, 2020 22:00 Europe/Tirane
  • Trump kërcënon rrjetet sociale

Presidenti Trump kërcënoi të mërkurën se do të marrë masa për rregullimin ose mbylljen e kompanive të caktuara të mediave sociale.

Kërcënimi vjen një ditë pasi kompania Twitter Inc për herë të parë u shtoi një paralajmërim disa prej tweet-eve të Presidentit, duke i shtyrë lexuesit të kontrollonin me fakte disa nga pohimet e tij. Të martën, kur ata që shikonin tweet-et e Presidentit Trump klikonin në paralajmërimin e vendosur nga Twitter-i, rrjeti social i drejtonte ata tek një njoftim i titulluar: Trump bën pretendimin e pabazuar se fletëvotimet me postë do të çojnë në mashtrim zgjedhor. Paralajmërimi përmbante një link që të çonte tek shkrime të rrjetit CNN dhe gazetës Washington Post, si dhe përfshinte një shënim me titull “Çfarë duhet të dini”, si më poshtë:  Trump pretendon në mënyrë të gabuar se fletëvotimet me postë do të çonin në "zgjedhje të falsifikuara". Por, kontrolluesit e fakteve thonë se nuk ka asnjë provë që fletëvotimet me postë kanë lidhje me mashtrim zgjedhor.  Trump pohon në mënyrë të rreme se Kalifornia do të dërgojë fletëvotimi me postë për "këdo që jeton në këtë shtet, pavarësisht se cili është ose si ka ardhur aty.” Në fakt, vetëm votuesit e regjistruar do të marrin fletëvotime. Megjithëse Trump kishte në shënjestër Kaliforninë, fletëvotimet me postë tashmë përdoren në disa shtete, si Oregoni, Juta dhe Nebraska." Presidenti kishte thënë përmes një postimi se votat e dërguara me postë do të bëheshin shkak për “manipulime të konsiderueshme” duke sjellë zgjedhje të manipuluara. Sot në mëngjes Presidenti shkroi në Tëitter se "Republikanët ndiejnë se platformat e mediave sociale i lënë në heshtje të plotë zërat konservatore. Ne do t'i rregullojmë ato fuqishëm, ose do t'i mbyllim para se të lejojmë që kjo të ndodhë".

Tags