Covid-19, Rusia gati 400 mijë raste
https://parstoday.ir/sq/news/world-i97496-covid_19_rusia_gati_400_mijë_raste
Rusia vazhdon të mbetet vatra e tretë kryesore në botë për personat bartës të koronavirusit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
May 31, 2020 16:54 Europe/Tirane
  • Covid-19, Rusia gati 400 mijë raste

Rusia vazhdon të mbetet vatra e tretë kryesore në botë për personat bartës të koronavirusit.

Ndërsa rrugët e Moskës të dielën ishin më të frekuentuara nga njerëzit për shkak të lehtësimit të masave anti-kovid, autoritetet raportuan gati 9 mijë raste të reja në të gjithë vendin, duke e çuar në afro 400 mijë totalin e të infektuarve. Sëmundja infektive, ndërkaq, u mori jetën 181 personave të tjerë në 24 orët e fundit. Pas rezervave të shfaqura nga ekspertë vendës dhe perëndimorë se numrat po manipuloheshin për qëllime politike, kryeqyteti i vendit gati e dyfishoi numrin e viktimave nga kovidi, me arsyetimin se me metodologjinë e vjetër nuk përfshiheshin rastet pozitive të personave të vdekur për shkaqe të tjera. Në rang vendi, më shumë se 4,500 qytetarë kanë humbur jetën nga sëmundja vdekjeprurëse. Nga dita e martë, autoritetet thonë se përhapja e virusit ka hyrë në stadin e qëndrueshëm dhe për pasojë janë hequr disi kufizimet brenda vendit. Për qytetarët e Moskës, është shtyrë deri më 14 qershor urdhri për vetizolimin e personave që shfaqin simptoma të koronavirusit. Ndalesat për shtetasit e huaj, udhëtimet nga ajri dhe toka mbeten ende në fuqi.